2015-10-08 11:16:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: dashuri që jep fryte


Sinodi për Familjen filloi e ne, si çdo të enjte, vijojmë të prekim argumente të caktuara të jetës familjare, duke shoqëruar reflektimin e etërve sinodalë. Sot, do t’ju flasim për lindjen e fëmijëve.

Një studiues i problemeve njerëzore, Erik H. Erikson, ka një skemë, me emrin e tij, e cila shpjegon cilat janë fazat, që e çojnë njeriun drejt pjekurisë. Secila prej 8 shkallëve, që bëjnë pjesë në këtë skemë, përkon me një fazë të jetës e çdo fazë përkon me një nevojë të caktuar për t’u plotësuar, përndryshe ecja e njeriut drejt maturisë ngadalësohet.

 Nevoja, që karakterizon fazën nëpër të cilën kalon njeriu i rritur (shkalla e shtatë) është ajo e lindjes së fëmijëve, nevoja për të sjellë në botë një jetë të re. Sipas Eriksonit, kjo nevojë është e shkruar në natyrën njerëzore e mosplotësimi i saj sjell probleme ekzistenciale. Nëse kjo vlen për një person të vetëm, mendoni ç’ndodh me çiftin. Pra, kalimi nga çifti bashkëshortor në çiftin e prindërve është diçka e natyrshme, megjithatë duhet pasur parasysh se për njerëzit mbizotëron rregulla e lirisë, prandaj ky kalim duhet aktivizuar me dëshirën e çiftit. E vendimi për të pasur fëmijë duhet të jetë i vetëdijshëm, i përgjegjshëm e plot besim në Zotin e në të ardhmen.

Nuk mund ta mohojmë se në botën perëndimore vërehet sot një rënie e ndjeshme e lindjeve, shprehje e mungesës së guximit e të shpresës. Thuhet se fëmijët kushtojnë tepër, ose se bota e sotme është shumë më e vështirë dhe e shëmtuar se dikur. E kështu frika fiton. Por frika është fryt i egoizmit. E kur mbizotëron, fara e fertilitetit, mbjellë natyrshëm në zemrën e burrit e të gruas, mbin e rritet në filiza të tjerë, në shprehje të tjera të amësisë e të atësisë, që kompensojnë mungesën e një fëmije. Për shembull, ndokush merr në shtëpi qen e mace, ndokush apasionohet pas makinave e ndokush mbytet në punë.

Por fertiliteti i çiftit nuk duhet interpretuar vetëm në kuptimin e tij “fizik”, sepse njeriu ka edhe zemër e mendje. Ekziston mundësia e një fertiliteti moral e shpirtëror. Kujdestaria, birësimi e të gjitha forma e shërbimit të përkoshëm, ose të përhershëm, ndaj njerëzve të vetmuar, të brishtë, të vuajtur e të pambrojtur, duhen interpretuar në vijën e këtij fertiliteti moral e shpirtëror. Nganjëherë, çiftet vuajnë nga shterpësia fizike e trupave të tyre, por fantazma më e frikshme, që mund të shfaqet në jetë, është shterpësia e shpirtit, fantazma e shterpësisë së zemrës.

Që çifti të sjellë fryte në jetën e vet dhe në atë të të tjerëve, që në fejesë, duhet të lidhë menjëherë besën me Zotin e jetës. Hyji nuk ka në dispozicion mënyrë tjetër për të dhuruar jetën, përveçse përmes dashurisë njerëzore të burrit e gruas. Kur çifti dëshiron fëmijë, por edhe kur nuk mbyllet në guackën e jetës së vet e mendon edhe për të tjerët e për të ardhmen, mund të themi se është frytdhënës.

Thotë një fjalë e urtë e vjetër: “Porta e mbyllur më mirë është ajo, që mund të lihet hapur…”. Prandaj, ta kthejmë “apartamentin” apo “shtëpinë” ku jetojmë në “vatër", ku të mbretërojnë jo vetëm vlerat tona familjare e lidhjet e gjakut, por edhe ato të miqësisë, të fesë, vlerat njerëzore, që na bëjnë ta mbajmë derën të hapur.








All the contents on this site are copyrighted ©.