2015-10-08 11:09:00

Zoja që zgjidh nyjet: Një ngjarje e jashtëzakonshme


Përfundoi me fjalën “pajtimi”, tejet të dëshiruar nga bashkëshortët Langenmantel e Imhoff, emisioni i shtatë i rubrikës kushtuar “Zojës, që zgjidh nyjet”, në muajin e Rruzares dhe të Sinodit, i cili vijon në Vatikan, kushtuar pikërisht familjes dhe problemeve të saj të mprehta në botën e sotme, kur shumë  bashkëshortëve u lidhet jeta nyje. Prej këndej, ngjarja e jashtëzakonshme, për të cilën do të flasim sot, ka vlerë të veçantë përgjithësuese. Ndodhi më 28 shtator të vitit 1615, në kapelën e manastirit. Dëshmitë, që lidhen me këtë episod janë të pakta e të ngatërruara. Gjatë lutjes së Wolfgangut e Sofisë, nyjet e një  kordeleje u zgjidhën mrekullisht e shiriti nisi të ndrisë, si të ishte krejt i ri. Ka shumë mundësi të ishte kordeleja e ditës së kurorës, në krizë. Kujtojmë se qe zakon që, gjatë Sakramentit të martesës, duart e bashkëshortëve lidheshin me një kordele, si shenjë e besës së dhënë, që nuk duhej thyer kurrë, për virtyt të Sakramentit. Po besa nisi të zbehej. Pas çdo grindjeje me të shoqin, Sofia lidhte një nyje në kordelën martesore: pikërisht kjo kordele, përplot me nyje, i qe besuar atit jezuit për lutjen e veçantë kushtuar dy bashkëshortëve, në prag të zgjidhjes së martesës. Meshtari u gjunjëzua para figures së Zojës e iu lut me gjithë shpirt t’i zgjidhte të gjitha nyjet, që shtrëngonin jetën e çiftit, duke i dhënë fund paqes në vatër. - “Me këtë devocion - tha solemnisht, duke iu drejtuar Zojës së Dëborës - po lartoj kah ti kordelen e martesës, plot besim se do t’i zgjidhësh të gjitha nyjet”.

Pa e kryer mirë lutjen, nyjet u zgjidhën mrekullisht e kordeleja u shtendos e u bë e bardhë, si dëbora, ashtu si kishte qenë ditën kur Wolfgangu e Sofia i patën dhënë besën e pazgjidhshme njëri-tjetrit, besë, që u përtëri e vijoi për gjithë jetë. Ndodhi vërtet kjo ngjarje? Është legjendë apo histori? Për këtë do të flasim në emisionin e nëntë!  








All the contents on this site are copyrighted ©.