2015-10-07 11:52:00

Zoja që zgjidh nyjet: Pajtimi


Titullohet “Pajtimi”, emisioni i shtatë i rubrikës sonë “Zoja që zgjidh nyjet”, kushtuar tetorit, muaj i Rruzares, e edhe i Sinodit për familjen.

Mbetëm, në emisionin e kaluar, tek historia e një familjeje, që ishte gati të ndahej e tek lutjet e gjermanit Wolfgang Langenmantel drejtuar Zojës për t’ia ruajtur martesën me Sophi Imhoff. Gjatë njëzet e tetë ditëve, Wolfgangu shtegtoi katër herë në manastirin e Ingolstad, gjithnjë ditëve të shtuna. U gjunjëzua para elterit të Zojës dhe e vuri tek këmbët e saj martesën e tij, lidhur nyje. 28 ditët e lutjes të kujtojnë periudhën, në të cilën trupi i gruas përgatitet për të pritur jetën e re. Është proces, që të çon nga vdekja, në jetë. E pikërisht gjatë këtyre 28 ditëve martesa e Wolfgangut dhe e Sophisë u përtëri, duke fituar forcë të re e gjallëri të re. 

Nuk kaloi shumë kohë e çifti nisi të ndjente një frymë të çuditshme, të ngrohtë, mirëkuptimi, që nuk dihej nga vinte. Në sa burri vijonte lutjet para ikonës së Zojës, me atë Jakobin, në vatrën e bashkëshortëve rikthehej gëzimi i harruar. Derisa edhe u pajtuan. Fjala ndarje u harrua fare e bashkëshortët vijuan të jetojnë të lumtur deri në fund të fundit të ditëve të tyre. Zoja e dëgjoi lutjen e familjes në vështirësi, ndërmjetësoi për të e nxori nga Zoti hirin, që ia kishte kërkuar: Pajtimin! 








All the contents on this site are copyrighted ©.