2015-10-07 14:50:00

Sinodi punon me grupe të vogla


Vijon Sinodi i Ipeshkvijve për Familjen në Vatikan, sot, në ditën e tij të katërt. Punimet vazhduan në grupet e vogla, moderatorët dhe relatorët e të cilëve u zgjodhën dje pasdite. Në konferencën për shtyp, si zakonisht, në orën 13.00, ishte i pranishëm edhe kryeipeshkvi i Filadelfias, imzot Chaput, i cili foli mbi udhën e përshkuar nga Takimi Botëror i Familjeve, që përfundoi javën e kaluar, deri tek ky Sinod. Kujtojmë se përfaqësuesi i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, imzot George Frendo, merr pjesë në diskutime, në grupin e gjuhës angleze.

Imzot Ulrich: gjuha e përdorur të jetë inkurajuese

“Përpiqemi sidomos që gjuha e përdorur të jetë inkurajuese dhe e aftë të kuptojë të gjithë bashkësinë si të tërë, jo vetëm bashkësinë e krishterë por të gjithë botën. Familjet janë bartëse të një jete të pasur… në botë ka vështirësi, por nuk duhet t’i ekzagjerojmë”, shpjegoi qëndrimin në grupe, imzot Laurent Ulrich, relator i grupit francez. Sinodi, tha ai, po impenjohet në gjetjen e një gjuhe të përshtatshme baritore për t’u folur familjeve të sotme.

Imzot Pineiro: punojmë në liri të plotë

Ndërkaq, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Perusë, imzot Salvador Pineiro Garcia Calderon, i pranishëm në konferencën për shtyp, vuri në dukje se etërit sinodalë punojnë në liri të plotë e dëgjojnë me përvuajtëri njëri-tjetrin. Imzot Pineiro i këshilloi gazetarët të mos bien në kurthin e “hermeneutikës konspirative” kur interpretojnë punimet e Sinodit. “Papa – tha ai – na ka kërkuar të jemi të kujdesshëm e të qetë. Punojmë mbi tre tekste kryesore, pastaj secili thotë ç’mendon e si i interpreton, por ka një punë të përbashkët e jo si thonë mediat. Ne punojmë për një projekt të përbashkët”.

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi sqaroi se çdo ipeshkëv mund ta bëjë publike ndërhyrjen e vet, por nuk do të ketë publikime të veçanta me fjalën e etërve sinodalë nga Sekretaria e Sinodit.








All the contents on this site are copyrighted ©.