2015-10-07 11:47:00

Papa: “shpirti familjar” është karta kushtetuese për Kishën


“Shpirti familjar është kartë kushtetuese për Kishën: kështu duhet të duket krishterimi, e kështu edhe duhet të jetë”. Është pohimi i Papës Françesku gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, katekizmin e së cilës ia kushtoi pikërisht Sinodit për familjen, që vijon në Vatikan. “Kisha - shpjegoi Papa - gjen sot, pikërisht në këtë pikë, kuptimin historik të misionit të saj lidhur me familjen e me shpirtin e vërtetë familjar, duke nisur nga rishikimi i jetës, që  vëren vetveten”.

Pak ditë më parë – i kujtoi Papa Bergoglio turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit - filluan punimet e Sinodit të Ipeshkvijve me temë: “Thirrja dhe misioni i familjes në Kishën e në botën bashkëkohore”. Familja, që ecën në udhën e Zotit, është themelore për të dëshmuar dashurinë e Hyjit e prandaj meriton gjithë vëmendjen e mundshme të Kishës. Sipas Papës, që e mblodhi, Sinodi është i thirrur t’ua shpjegojë njerëzve të ditëve tona këtë merak e këtë kujdes të Kishës. Prej këndej i ftoi mbarë besimtarët ta shoqërojnë krejt udhën sinodale. Sidomos –  kujtoi  – me lutje e vëmendje. E në këtë periudhë, shtoi, katekizmat do të jenë reflektime të frymëzuara mbi disa aspekte të lidhjes, që mund ta quajmë me plot gojën, të pazgjidhshme, ndërmjet Kishës e familjes, me horizont të hapur drejt së mirës së mbarë bashkësisë njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.