2015-10-07 18:15:00

Papa përshëndet familjet irakiane. Younan: të krishterët, në rrezik zhdukjeje


Të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, për të marrë pjesë në audiencën e përgjithshme, disa familje refugjatësh irakianë. Papa Françesku i përshëndeti me ngrohtësi të veçantë. Në Sinod po flitet për dramën e shumë familjeve të  krishtera, që u detyruan të largohen nga Siria e nga Iraku, për shkak të luftës dhe të persekutimeve të Shtetit të vetëquajtur Islamik. Kushtrimin në Sinod, në vend të familjeve të krishtera të Lindjes së Mesme, shpesh të ndara për shkak të dhunës, e lëshoi, ndërmjet tjerëve, Patriarku Ignace Youssif III Younan. E intervistuam:

 Familjet tona ndodhen në vende, ku ka persekutim, luftë civile: në Siri, Irak e vende të tjera të Lindjes së Mesme. Sfida jonë është lufta për ekzistencë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk flas për familjet, individët, çiftet, por kryesisht për familjen tonë kulturore, për trashëgiminë tonë siriane, që rrezikon të zhduket: mijëra familje u dëbuan nga trojet e tyre e nuk e dimë kur do të kthehen, në se do të kthehen ndonjë herë. Jemi vërtet përballë një sfide të madhe. Luftojmë për të mbetur gjallë: vetëm Zoti mund të na e japë këtë dhuratë, të na e bëjë këtë mrekulli!

 Kujtuat shumë familje, që u detyruan të ikin nga sytë këmbët, por ka edhe familje të tjera të ndara, njerëz, që ndodhen larg vatrave, sepse tashmë, të ikur…

 Kurbeti krijon gjithnjë situata të tilla, i ndan familjet. Por për ne kjo dyndje qe krejt e papritur; nuk e dimë sesi do të mund t’i bashkojmë rishtas anëtarët  e familjes, shpërndarë në të katër anët e botës.

 Si i komentoni kronikat e ditëve të fundit? Këto sulme me raketa,  të kryera edhe nga Rusia në Siri? Mendoni se opsioni ushtarak duhet përjashtuar, apo është i nevojshëm?

 Nuk mund të përjashtohet, sepse këta njerëz nuk e kuptojnë aspak gjuhën e dialogut, nuk dinë as ç’do të thotë pajtim e as proces vërtet demokratik. E kujtoj këtë posaçërisht për vendet perëndimore. Duhet ta dinë se nuk mund të dialogohet me njerëz, që dëshirojnë të të lënë pa kokë. Duhet të mbrohemi, duhet ta mbrojmë familjen tonë! Siç e dini, në qendër të Sirisë është ende një prift i rrëmbyer që prej 3-4 muajsh, Jacques Murad, e me të, edhe dyqind të krishterë. Ndodhen në Qaryatayn, në qendër të Homsit. E ç’duhet të bëjnë? Duhet të kthehen në Islam, të paguajnë xhizanë, taksën myslimane. Është një sjellje e ulët, kundër besimtarëve në Krishtin, të cilën perëndimi e ndjek me indiferencë të plotë.

Qëllimi është edhe të shpëtohen civilët nga bombardimet ajrore….

 Nëse nuk do të koordinohen sulmet ajrore me veprimtarinë ushtarake të këmbësorisë siriane, nuk do të mund të arrihet asnjë rezultat, sepse ata janë tejet dinakë, kanë shumë financime, janë mercenarë, që vijnë nga anë e anës e depërtojnë ndërmjet civilëve. Vështirë, pra. Ngado që ta shikosh situatën! 








All the contents on this site are copyrighted ©.