2015-10-07 14:56:00

Papa: familjet e bëjnë botën më njerëzore, por politika nuk i mbështet


Kisha, për misionin e saj dhe bota, për të jetuar, kanë nevojë të frymëzohen nga “shpirti familjar”, që nxjerr në pah pjesën më të mirë të çdo bashkëjetese, civile e kishtare. Ky, mendimi kryesor i Papës në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku i ftoi politikën dhe ekonominë t’i ndihmojnë familjet, mbartëse të vlerave të pazëvendësueshme për të mirën e përbashkët të çdo shoqërie.

Në brigjet e liqenit të njerëzimit, Kisha nuk mund të vijojë të peshkojë “me rrjetat e vjetra”, të përdorura deri tani. Për të dalë përsëri në det të hapur e për ta çuar përpara misionin e saj, ka nevojë – mendon Papa – për një dozë të madhe të frymës familjare, sepse rrjeti i lidhjeve dhe i vlerave, që e mbajnë të bashkuar familjen, vijon të jetë forma më e mirë e bashkëjetesës civile, të cilën shkenca dhe teknika nuk kanë ditur ta imitojnë e aq më pak, t’ia kalojnë.

Marrëdhënie “të përthara”  

Ndërsa etërit sinodalë janë mbledhur në grupet e vogla, Françesku propozoi katekizmin e parë të një serie të re, për t’i shoqëruar, kështu, punimet e takimit të madh, që vijon në Vatikan, e për të reflektuar për atë lidhje, të cilën Ati i Shenjtë e quan “të pazgjidhshme”, ndërmjet Kishës e familjes. Asaj familjeje, që Papa e konsideron si protagoniste e vërtetë  e çdo dite, çdo vendi, kohe e kulture:

“Një vështrim i vëmendshëm mbi jetën e përditshme të burrave  dhe të grave në kohët tona, tregon menjëherë se kudo ndjehet nevoja e një injeksioni të fortë të frymës familjare. Në të vërtetë, stili i marrëdhënieve – civile, ekonomike, juridike, profesionale, qytetare – duket shumë racional, formal, i organizuar, por edhe i fishkur, i thatë, anonim. Prej këndej, shpesh herë bëhet krejt i padurueshëm. Pavarësisht nga përpjekjet për gjithëpërfshirje në format e tij, në realitet i braktis në vetmi e i përjashton nga radhët e veta, një numër gjithnjë e më të madh njerëzish”.

Familja krijon një botë të banueshme

Mund t’i quajmë marrëdhënie njerëzore, të cilave u mungon pikërisht “njerëzorja". Humanitet ky, që ndjehet fort, depërton në çdo bërthamë familjare – kujtoi Françesku – sepse ngrihet mbi dashurinë e lirë e reciproke, në të gjitha elementet e saj përbërëse:  

“Familja e bën të ndjeshme nevojën e lidhjeve të besnikërisë, të sinqeritetit, të besimit, të bashkëpunimit, të respektit; inkurajon projektimin e një bote të banueshme, të shtyn të besosh në marrëdhëniet e ndershme, edhe në kushte të vështira; të mëson ta mbash fjalën e dhënë, ta respektosh çdo njeri, të ndash  me të tjerët të mira e të vështira. E të gjithë jemi të vetëdijshëm për vëmendjen e pazëvendësueshme familjare ndaj anëtarëve më të vegjël e më të ligshtë, më të plagosur e deri tek ata më të çkujdesurit në jetën e tyre”.

Paradoks i çuditshëm

Problemi është se familjet nuk e gëzojnë atë vëmendje, që meritojnë. Familjes nuk i njihet pesha, rëndësia, vlera  e duhur shoqërore, të cilën e meriton plotësisht, në organizimin e ekonomisë e të politikës në shoqërinë bashkëkohore që, me gjithë shkencën dhe teknikën e saj, nuk është ende e aftë t’i vërë në jetë këto njohuri në format më të mira të bashkëjetesës civile:

“Jo vetëm organizimi i jetës së përbashkët  has pengesa  gjithnjë më të mëdha për shkak të një burokracie krejt të huaj për marrëdhëniet  njerëzore më themelore, por arrihet deri tek sjellje shoqërore e politike, që flasin qartë për shenja zvetënimi – agresiviteti, vulgariteti, përbuzjeje – gjë që  tregon sa poshtë ka rënë edukata më fillestare familjare. Në këto raste, ekstremet e kundërta të këtij keqësimi të marrëdhënieve – domethënë trullosja teknokratike dhe familizmi amoral – bashkohen dhe ushqejnë njëra-tjetrin. Ky vërtet, është paradoks”.

Kisha, familje e Hyjit

Paradoks për shoqërinë, por jo për Kishën e cila, vëren Papa, gjen sot, pikërisht në këtë pikë, kuptimin historik të misionit të saj lidhur me familjen e me shpirtin e vërtetë familjar, duke nisur nga rishikimi i jetës, që  vëren vetveten:

“Mund të thuhet se Shpirti familjar është kartë kushtetuese për Kishën: kështu duhet të duket krishterimi, e kështu edhe duhet të jetë. E mund të themi edhe se sot familjet janë një nga rrjetet më të rëndësishme për misionin e Pjetrit e të Kishës. Nuk është rrjet, që të burgos, ky! Përkundrazi. Të çliron nga ujërat e këqija të braktisjes e të indiferencës, ku mbyten shumë njerëz,  të lënë në mëshirën e detit të vetmisë e të harresës. Familjet e dinë mirë çfarë do të thotë të jesh bir, e jo skllav, i huaj, a thjesht një numër në kartën e identitetit”.

Në përfundim të katekizmit, përmbledhur në gjuhë të tjera, Papa Françesku përshëndeti, ndërmjet tjerëve, imzot Vincenzo Paglia-n e bashkëpunëtorët e Këshillit Papnor për Familjen, duke i falënderuar për impenjimin në organizimin e takimit botëror të familjeve, në Filadelfia. Përshëndeti edhe Trupin italian të ndihmës së shpejtë të Urdhërit të Maltës.








All the contents on this site are copyrighted ©.