Përfundoi sot paradite, 6 tetor, me kongregacionin e tretë të përgjithshëm, debati
i asamblesë sinodale mbi pjesën e parë të dokumentetit Instrumentum laboris, kushtuar
temës “Dëgjimi rreth sfidave mbi familjen”. Pasdite etërit sinodal janë mbledhur në
rrethet e vogla, sipas gjuhëve.
Në fillim të kongregacionit, pas fjalës së sekretarit të përgjithshëm, kardinalit
Lorenzo Baldisseri, Papa Françesku mori fjalën për të ripohuar se sinodi aktual është
në vazhdimësi me atë që është mbajtur e kremtuar vitin e kaluar.
Lidhur me Instrumentum laboris, Papa Françesku ka nënvizuar se ky dokument është rezultat
i Relatio synodi i integruar me kontribute të ardhura më vonë, i cili është miratuar
nga Këshilli passinodal – mbledhur në praninë e Papës – dhe se është bazë për të vazhduar
debatin e diskutimet e ditëve të ardhshme. Në këtë kontekst, kanë një rëndësi themelore
kontributet e grupeve të ndryshme gjuhësore. Papa ka përkujtuar se edhe tri dokumentet
zyrtare të sinodit të vitit të kaluar janë edhe dy fjalimet e tij, në fillim e në
përfundim të sinodit, dhe Relatio synodi.
Ati i Shenjtë Bergoglio pastaj ka nënvizuar se doktrina katolike mbi martesën nuk
është cenuar e pastaj tërhoqi vëmendjen të ruhemi për të mos dhënë përshtypjen se
problemi i vetëm i sinodit është ai i kungimit të divorcuarve, duke i ftuar etërit
sinodal të mos i reduktojnë horizontet. Gjatë kongregacionit kanë marrë fjalën tridhjetë
etër sinodal. Ndër temat e trajtuara, nevoja e pritjes dhe pranimit të njerëzve në
situatën e jetës së tyre konkrete dhe gjetja e udhëve për të ndihmuar e shoqëruar
ata persona që kanë përjetuar dështimin. Pastaj është theksuar rëndësia e formimit
për martesë, kështu që bashkëshortët të jenë të ndërgjegjshëm për zgjedhjen që kanë
bërë përmes sakramentit të martesës, e kështu të parandalohen vështirësitë, plagët
e mundshme. Në vijim u fol edhe për vlerësimin e dialogut ndërmjet breznive, për t’i
kultivuar vlerat themelore të familjes, e lidhur me këtë janë propozuar disa zgjidhje
specifike sipas konteksteve lokale e kontinentale.
Pasdite, punimet e Sinodit vazhduan në Rrethe të Vogla, të ndara sipas gjuhëve të
pjesëmarrësve, ku etërit sinodal shkëmbyen mendimet dhe përvojën e Kishave në Vende
e prejardhjes së tyre, gjithnjë rreth familjes.
Kujtojmë se në Sinodin e Ipeshkvijve, Konferenca Ipeshkëvnore Katolike e Shqipërisë
përfaqësohet nga sekretari i saj, ipeshkvi imzot George Frendo.
Siç thamë, punimet e sotme të Sinodit filluan me lutjen e Ditës dhe homelinë e rastit
mbajtur nga kardinali Goerge Alenchery, kryeipeshkëv i madh i Ernakulam-Angamaly i
Siro-Malabarezëve të Indisë.
Duke folur për celibatin kardinali tha se është “një shenjë”, e ashtu si Jeremia,
profeti protagonist i leximit biblik të Meshës së sotme, i cili “qe detyruar të përjetonte
vetminë, ashtu siç e pati përjetuar vetë Zoti”, edhe “barinjtë e Kishës në kohët e
sotme janë të thirrur të marrin mbi vete peshën e misionit profetik, bashkë me vuajtjet
e ngjashme me ato që përjetoi Jeremia profet”.
Sipas president i Konferencës Ipeshkëvnore katolike gjermane, kardinalit Reinhard
Marx “ Sinodi është një udhëtim, prandaj duhet të bëjmë hapa përpara, Sinodi nuk mund
të jetë një përsëritje, e nuk mund të shikojmë prapa”.
“Diskutimi – nënvizon kardinali Marx – shkon përpara që prej një viti. Papa i ka kushtuar
pjesën më të madhe të katekizmit të tij gjatë audiencave të përgjithshme” familjes.
“Kështu që, më duket, tha kard. Marx se në Sinod lypet të formulohen edhe gjëra tjera
e të reja. Sidomos është më rëndësi – nënvizon kardinali Marx kryeipeshkëv i Munihut
–të mos shkohet nën nivelin e diskutimit që ka propozuar Papa”.
Sinodi i ipeshkvijve trajton çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me familjen, nga
konteksti shoqëroro-kulturor, te vlera e jetës afektive në gjirin familjar; sfidat
me të cilat ballafaqohet veprimtaria baritore e Kishës; familja në planin shëlbimprurës
të Zotit; familja në dokumentet e Kishës; pazgjidhshmëria e sakramentit të martesës
dhe gëzimi i jetës së përbashkët; e vërteta dhe bukuria e familjes e mëshira ndaj
familjeve të lënduara e të brishta; kumtimi i Ungjillit në familje në kontekste të
ndryshme të realitetit të sotëm; sfida e edukimit dhe roli i familjes në ungjillëzim
e kështu me radhë. Pra, Kisha nuk mund e nuk do të jetë indiferente para sfidave që
ka e përjeton familja sot. Mbi këtë zhvillohen punimet e Sinodit, e me thirrjen e
Papës, do të ecën drejt horizonteve të reja.
All the contents on this site are copyrighted ©. |