2015-10-06 12:23:00

Françesku: Zoti do mëshirë, jo shërbëtorë të ashpërsisë


Të kemi kujdes e të mos e lemë zemrën të ngurtësohet, pasi kështu, ajo nuk e lë të hyjë mëshirën e Zotit. Këtë theksoi sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, para se të shkonte në Sinodin e Ipeshkvijve për Familjen. Ati i Shenjtë këshilloi të mos i kujtojmë më të rëndësishme se mëshira e Zotit, mendimet tona apo listën e urdhërimeve për t’u zbatuar.

Leximi i sotëm i Meshes nga Libri i Jonës i dha shkas Papës të përmendë profetin, që fillimisht e kundërshton vullnetin e Hyjit, por pastaj, mëson t’i bindet. E pikërisht falë predikimit të Jonës, qyteti i madh i Ninives kthehet në udhën e Zotit:

“Vërtet, bën mrekulli, sepse në këtë rast, ai vetë e la mënjanë kokëfortësinë dhe iu bind vullnetit të Hyjit, duke bërë ç’i kishte urdhëruar Zoti”.

Mëshira e Zotit nuk mund të hyjë në zemërgurin

 E para kthimit të Ninives, Jona, që nuk i bindej shumë Shpirtit të Zotit, zemërohet, vërejti Ati i Shenjtë. Madje e qorton Zotin. Historia e Jonës dhe Ninives kalon nëpër tri etapa: së pari, Jona nuk dëshiron ta kryejë misionin, që i beson Zoti; pastaj, Jona bindet e, “kur njeriu i bindet Hyjit, bën mrekulli”, nënvizoi Papa Françesku. Kështu, Ninive u kthye në udhën e Hyjit. Etapa e tretë e historisë na tregon Jonën që nuk e pranon mëshirën e Zotit:

“Ato fjalë, ‘O Zot, a nuk doli pikërisht ashtu siç e mendoja unë, kur ende isha në vendin tim? Sepse e dija mirë se ti je Hyj i butë e i mëshirshëm’ e unë e bëra punën time të predikimit, e bëra mirë punën time, ndërsa Ti, i fal? Është zemra e ngurtë, që nuk e lë mëshirën e Zotit të hyjë. Është më i rëndësishëm predikimi, janë më të rëndësishme mendimet personale, është më e rëndësishme lista e urdhërimeve, që duhen zbatuar, gjithçka, gjithçka, më shumë se mëshira e Zotit!”.

Edhe mëshira e Jezusit nuk kuptohej

Edhe Jezu Krishti përjetoi të njëjtën dramë me Dijetarët e Ligjit, që nuk kuptonin pse nuk i la ta vrisnin me gurë gruan kurorëshkelëse, pse shkonte për darkë me publikanët e me mëkatarët. Nuk e kuptonin mëshirën, shpjegoi Ati i Shenjtë. “Ti je i butë e i mëshirshëm” thotë Psalmi i sotëm, i cili na sugjeron ta presim Zotin, sepse Hyji është i mëshirshëm e me Të vjen Shëlbimi.

Jo meshtarë të ngurtë, Zoti kërkon mëshirë

 Ku është Zoti, theksoi Françesku, aty është mëshira. E Papa përmendi shën Ambrozin, që thoshte: “Ku ka ashpërsi, aty janë ministrat e Tij”. Është fjala, vijoi Ati i Shenjtë, për atë kokëfortësi, që e sfidon misionin meshtarak dhe Mëshirën Hyjnore:

“Pranë fillimit të Vitit të Mëshirës, t’i lutemi Zotit të na bëjë të kuptojë si është zemra e tij, ç’do të thotë ‘mëshirë’, ç’dëshiron të thotë me fjalët: ‘Mëshirë dua e jo fli!’. Prandaj, në lutjen e Hyrjes së meshës thamë atë frazë kaq të bukur: ‘Dikoje mbi ne mëshirën Tënde’, sepse mëshira e Zotit kuptohet vetëm kur reshet mbi ne, mbi mëkatet tona, mbi mjerimet tona…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.