2015-10-05 15:04:00

Themelimi i Kolegjit të Shën Benedetto Ulanos në Kalabri


Kujtojmë një datë me rëndësi të veçantë në historinë e shqiptarëve e në mënyrë të veçantë të arbëreshëve: më 5 tetor 1732, në Kozencë të Kalabrisë, me kujdesin dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të Papës Klementi XII, u themelua Kolegji i Shën Benedetto Ulanos, që më vonë u transferua në Shën Mitër Korone dhe u quajt Kolegji i Shën Adrianit.

Kolegji i Shën Benediktit u hap në një manastir të vjetër bazilian, nën drejtimin e Shën Nilit të Rosanos. Kishte për qëllim të përgatiste klerin shqiptar të ritit lindor bizantin, që do të shërbente në Kishat arbëreshe e mundësisht edhe në Shqipëri, por jo më pak edhe laikët. Dimë se priftërinjtë dhe rregulltarët e përgatitur në këtë kolegj, do të kapërcenin Adriatikun, për të themeluar manastiret dhe shkollat e tyre në bregun tjetër, e pikërisht në Himarë e rrethina, siç kujton, në këndvështrimin e vet, Petro Marko në librin e tij postum "Intervistë me vetveten".

Ndërkaq më 1734 në Palermo të Sicilisë, Atë Guzetta do të hapëte një tjetër kolegj me të njëjtin qëllim, që gjithashtu i dhuroi fytyra të ndritura kulturës shqiptare. Në prag të Rilindjes Kombëtare kolegji do të bëhej vatra më e nxehtë e ndjenjave të flakta të atdhedashurisë e të dëshirës për t'u çliruar nga pushtuesi. Këtu De Rada më 1899 do të rifillonte të jepte mësimin e gjuhës shqipe, këtu do të edukoheshin disa nga yjet më të ndritura të plejadës që do të dukej në horizontin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e jo më pak të asaj italiane. Po kujtojmë vetëm emrat e De Radës, Anton Santorit, Mikel Markianoit, Luigj Gurakuqit, Kolë Kamsit, Kostaq Cipos.








All the contents on this site are copyrighted ©.