2015-10-04 12:21:00

Shenjtërorja e Zojës Rruzare në Pompei dëshmon se feja e dashuria e bëjnë botën më të mirë


Kisha sot i larton lutjen Zojës Rruzare të Pompeit, një Shenjtërore e famshme kjo, nga e cila Kisha i fton të gjithë, të kërkojnë ndërmjetësimin e Marisë, që Zoti të jetë i mëshirshëm për Kishën e vet e t’i japë paqe, Asaj e botës mbarë. Kisha ia beson, posaçërisht, Nënës Qiellore, të rinjtë, të sëmurët, familjet dhe çiftet e reja, dhe i porosis të gjithë ta vlerësojnë, në këtë muaj, kushtuar Zojës së Bekuar, uratën e Rruzares Shenjte.
Nga kjo qytezë e Marisë dhe e dashurisë së krishterë, që është Pompei, vjen dëshmia se feja në Hyjin e shndërron botën dhe prandaj Kisha ia beson të gjithë njerëzimin Marisë, duke menduar posaçërisht për ata që vuajnë e për ata që braktisen në fatin e tyre, në dramat e tragjeditë e tyre të vetmisë e të mjerimit.
Nga Shenjtërorja e Zojës së Rruzare në Pompei, Kisha u bënë thirrje të krishterëve të jenë motori i ripërtëritjes fetare e sociale para rreziqeve e mos vlerave të shumta që dominojnë në shoqërinë e sotme bashkëkohore. Kisha na fton t’u themi jo kompromiseve, e ta mbrojmë familjen dhe rolin e saj themelor në shoqëri.
Këtu, tek këmbët e Marisë, familjet e gjejnë e përforcojnë gëzimin e dashurisë që i mbanë të bashkuara.

Ja Lutja e vogël, shkëputur nga urata historike, shkruar nga i Lumi Bartolo Longo, në vitin 1883:

“Virgjër e Rruzares Shenjte, Nënë e Shëlbuesit, grua e tokës sonë e lartuar mbi qiejt e lartë, shërbëtore e përvuajtur e Zotit, shpallur Mbretëreshë e botës, nga thellësia e mjerimeve tona ne ngarendim kah ti e, me besimin e bijve, sytë tanë ngulen mbi fytyrën tënde ëmbëlsiplote.

E kurorëzuar me dymbëdhjetë yje, ti na çon tek misteri i Atit, ti shndrit me dritën e Shpirtit Shenjt, ti na dhuron Foshnjën tënde hyjnore, Jezusin, shpresën tonë, të vetmin shpëtimtar të botës. Me Rruzaren tënde, ti na fton t’ia ngulim sytë fytyrës së Tij. Ti na e hap zemrën e Tij, hon i pafundmë gëzimi e dhimbjeje, drite e lumnie, mister i Birit tënd, që u bë njeri për ne. Tek këmbët tuaja, në gjurmë të Shenjtorëve, ne ndjehemi familje e Zotit.

Nënë e model i Kishës, ti je prijëse dhe ndihmëse e sigurt. Na bëj një zemër të vetme  e një shpirt të vetëm, popull të fortë për udhë drejt atdheut të qiellit. I lëshojmë në dorë tënde mjerimet tona, udhët pa fund të urrejtjes e të gjakut, mijëra varfëritë e lashta e të reja e, sidomos, mëkatin tonë. Në duart tuaja e lëshojmë gjithë vetveten: Nënë e mëshirës, na nxirr nga Zoti hirin e faljes, ndihmona të ndërtojmë një botë sipas zemrës sate.

O Rruzare e bekuar e Marisë, vargua i ëmbël, që na lidh me Hyjin, vargua  dashurie, që na bën vëllezër, ne nuk të lëmë kurrë më. Në duart tona do të jetë arma e paqes dhe e faljes, yll i udhëve tona. E puthja jote, në frymën e fundit, do të na mbështjellë me një valë drite, me vegimin e Nënës së dashur nga Biri hyjnor, etje e gëzim i zemrës sonë, me Atin e Shpirtin Shenjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.