2015-10-04 12:11:00

Pas Engjëllit të Tënzot, Papa lutet për viktimat në Francë e Guatemalë


Të dashur vëllezër e motra,

         dje, në Santander, në Spanjë, u shpallën të Lumë, Pio Heredia dhe 17 shokë e shoqe të Urdhërit Çisterçens të reformuar dhe të Shën Bernardit, vrarë për shkak të fesë, gjatë Luftës Civile spanjolle e gjatë persekutimit fetar të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Ta lëvdojmë Zotin për këta dëshmitarë të guximshëm e, përmes ndërhyrjes së tyre, t’i përgjërohemi ta lirojë botën nga mallkimi i luftës.

Dëshiroj t’i lutem Zotit për viktimat e rrëshqitjes së dheut, që mbuloi një fshat të tërë në Guatemalë, si edhe për ato të përmbytjes në Francë, në Bregun e Kaltërt. U qëndrojmë pranë popullsive të dëmtuara rëndë, edhe me solidariteti konkret.

         Ju falenderoj që keni ardhur të shumtë në Romë, nga Italia e nga anë të tjera të botës. Përshëndes besimtarët e kryedioqezës së Paderborn (Gjermani), ata të Portos (Portugali), grupin e kolegjit Mekhitarist në Romë.

         Në ditën e shën Françeskut të Asizit, Pajtor i Italisë, përshëndes në veçanti shtegtarët italianë, sidomos besimtarët e Reggio Calabria, Bollate, Mozzanica, Castano Primo, Nule e Parabita. Përshëndes të rinjtë e Belvedere di Spinello dhe Shoqatën për të drejtat e këmbësorëve në Romë e në Lazio.

         Të gjithëve ju uroj t’ia kaloni mirë të dielën. E, ju lutem, mos harroni të luteni për mua. Drekën e mirë e mirupafshim!








All the contents on this site are copyrighted ©.