2015-10-04 00:00:00

Shenjtorët e javës 4 – 11 tetor 2015


Sot e diel, 4 tetor, Kisha kremton të dielën e 27-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 4 tetor, kalendari përkujton shën Françeskun e Asizit, themeluesin e Urdhrit të françeskanëve, i mirënjohur dhe i nderuar në trevat shqiptare.

Festa e shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet dhe njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

Të hënën më 5 tetor, kalendari përkujton Shën Plaçidin e shën Maurin, dishepuj të shën Benediktit, dhe shën Maria Faustina Kovalskën, shpallur shenjte nga Papa Gjon Pali II.

Të martën më 6 tetor, kalendari përkujton Shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve.

Të mërkurën, më 7 tetor bie festa e Zojës Rruzare, festë shumë e përzemërt për besimtarët katolikë shqiptarë. Kujtojmë se në trevat shqiptare ka disa Tempuj që i kushtohet Zojës së Bekuar Rruzare, po përmendim atë në Shkodër Kishën te Arra e Madhe dhe Kishën famullitare në fshatin Bishtazhin në Kosovës e në vende tjera.

Po më 7 tetor, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Sergjin e Bakun, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga Kishat më të lashta në Shqipëri. Kisha ndodhet jo larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.

Të enjten me 8 tetor, kalendari kishtar përkujton shenjtoret Benedikta e Pelageja, virgjëra e martire; shën Feliçin e shën Ugon.

Të premten më 9 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Dionisin, ipeshkëv me shokët e tij martirë; shën Gjon Leonardin, meshtar, themelues i Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit dhe të shën Abrahamit, patriark.

Të shtunën më 10 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Paulinin, ipeshkëv i Jorkut, shën Danielin, Samuelin e shokët, martirë të parë françeskanë e shën Çernobin.

Të dielën e ardhshme më 11 tetor, Kish katolike do të kremtojë të dielën e 28-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 11 tetor, kalendari përkujton të Lumin Gjonin XXIII, papë, nismëtar i Koncilit II të Vatikanit, shën Filipin, diakon, e shën Aleksandër Saulin, ipeshkëv i Pavisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.