2015-10-02 12:02:00

Papa: secili e ka një engjëll pranë, ta dëgjojmë e t’i bindemi


Secilit, Zoti i ka caktuar një engjëll, që ta këshillojë e ta mbrojë, një engjëll, që duhet dëgjuar me bindje. Papa Françesku foli për Engjëjt e Rojës në homelinë e meshës së sotme në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, pikërisht në festën liturgjike kushtuar atyre.

Ambasador i Zotit pranë nesh

         Ati i Shenjtë përmendi lutjet e psalmet, që kujtojnë figurën e Engjëllit të Rojës, i cili është i pranishëm në çdo ngjarje të historisë së marrëdhënieve ndërmjet njeriut e qiellit, sepse Zoti, edhe pas mëkatit të Adamit dhe Evës, nuk e la vetëm njeriun. “Ja, po e dërgoj engjëllin që të prijë e të të ruajë gjatë udhëtimit e të të shtjerë në vendin që kam përgatitur”, shkruhet në Leximin e Parë të meshës, marrë nga Libri i Daljes. Liturgji, që i kushtohet pranisë së Hyjit, përmes Engjëllit të Rojës:

         “Është gjithmonë me ne! E ky është realitet. Është si një ambasador i Zotit me ne. E Zoti na këshillon: ‘Kij nderim për praninë e tij!’ E, për shembull, kur bëjmë ndonjë gjë të keqe mendojmë se jemi vetëm: jo, është ai. Të kemi respekt për praninë e tij. Ta dëgjojmë zërin e engjëllit, sepse ai na këshillon. Kur ndjejmë sikur na nxit apo na frymëzon dikush: ‘Bëj këtë … kjo është më mirë… kjo nuk duhet bërë…” Dëgjoje! Mos u rebelo kundër tij”.

T’i respektojmë e t’i dëgjojmë Engjëjt e Rojës

         Engjëlli i Rojës, nënvizoi më tej Papa Françesku, na mbron gjithnjë nga e keqja. Kur mendojmë se mund t’i fshehim gjërat, duhet ta dimë se Engjëlli i Rojës është gjithnjë aty pranë, sheh çdo gjë, na këshillon, nganjëherë na mbulon, njëlloj siç do të bënte një mik. Këtë mik nuk e shohim, por e ndjejmë, theksoi Ati i Shenjtë. Një ditë, edhe ai do të jetë me ne në Qiell, në gëzimin e amshuar:

         “Vetëm na kërkon ta dëgjojmë, ta respektojmë. Vetëm këtë: respekt e dëgjesë. E ky respekt e kjo dëgjesë për këtë shok të rrugës, quhet bindje. Të krishterët duhet t’i binden Shpirtit Shenjt. E kjo bindje fillon nga dëgjimi i këshillave të Engjëllit të Rojës”.

 

Bindje ndaj Engjëllit, që na udhëheq

         E për t’u bindur, për të qenë të butë me të, duhet të jemi të vegjël, si fëmijët, pra, nënvizoi Papa, si ata, të cilëve Jezusi u pati thënë se do të jenë më të mëdhenjtë në Mbretërinë e Atit të tij Qiellor. Pra, përfundon, Engjëlli i Rojës është “shok rruge”, që na mëson të jemi të përvuajtur e ta dëgjojmë si fëmijët:

         “T’i lutemi sot Zotit për hirin e kësaj bindjeje, që ta dëgjojmë zërin e këtij shoku, të këtij ambasadori të Zotit, i cili na qëndron pranë në emër të Hyjit, për të na mbështetur me ndihmën e tij. …Edhe në këtë meshë, me të cilën i thurim lavde Zotit, të kujtohemi sa i mirë është Hyji, i cili, menjëherë pasi humbi miqësinë me ne, nuk na la vetëm, nuk na braktisi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.