2015-10-02 14:32:00

Kardinali Uelet mendon për të krishterët në Siri e në Irak


Komisioni Papnor për Amerikën Latine mobilizohet në favor të të krishterëve të persekutuar në Lindjen e Mesme. Me një letër për kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të kontinentit, kreu i Komisionit, kardinali Mark Uelet, u kërkon prelatëve të sensibilizojnë besimtarët për kushtet e vështira në të cilat jetojnë të krishterët, të ndërmarrin nisma për lutje e bashkim me këta të persekutuar për shkak të fesë.

         Më 8 dhjetor, në përkim me hapjen e Vitit Jubilar kushtuar Mëshirës Hyjnore, kardinali kërkon që të grumbullohen fonde për të ndihmuar konkretisht bashkësitë e krishtera në Siri e në Irak. Shumë prej banorëve janë larguar nga trojet e tyre, por shumë të tjerë kanë vendosur heroikisht, të qëndrojnë në vendin e origjinës, duke vijuar të japin dëshminë e tyre të fesë. Shuma e mbledhur në Amerikën Latine do të administrohet nga Komisioni Papnor, i cili do të ndihmojë aty ku është e nevojshme.

         Thirrja e kardinalit Uelet i përgjigjet shqetësimit të Papës Françesku për të krishterët e persekutuar. Kreu i Komisionit Papnor për Amerikën Latine fton ipeshkvijtë e rajonit t’u kërkojnë qeverive të përkrahin çështjen e lirisë fetare në instancat ndërkombëtare e të tregohen solidarë me viktimat e dhunës së paparë.

         Kardinali i nxit gjithashtu ipeshkvijtë të strehojnë refugjatët e ardhur nga Iraku e Siria. “Të mos u mungojë kurrë këtyre vëllezërve tanë – përfundon ai – lutja universale, që lartohet në qiell gjatë meshës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.