2015-10-02 16:48:00

Kard. Baldisseri: Papa na fton të flasim pa doreza në Sinod


Të dielën paradite, Papa Françesku, në bashkëkremtim me ipeshkvijtë e gjithë botës, do të kremtojë, në Bazilikën e Vatikanit, meshën, që do të përurojë punimet e Sinodit për Familjen. Asambleja XIV e përgjithshme dhe e zakonshme e Sinodit fillon pra më 4 tetor, me temën “Thirrja dhe misioni i familjes në Kishë e në botën bashkëkohore”. Punimet do të përfundojnë më 25 tetor.

Sinod do të thotë “të ecim së bashku”

Sinodi i zakonshëm i ipeshkvijve pason Sinodin III të jashtëzakonshëm të ipeshkvijve, që u mbajt nga 5 deri më 19 tetor 2014, me temën “Sfidat baritore për familjen në kontekstin e ungjillëzimit”. Ndër risitë e sivjetme: hapësirë më e madhe për rrethet e vogla dhe vetëm një dokument përfundimtar, “Relatio finalis”.

Metodologji e re pune

 Nga 270 etërit sinodalë, 107 vijnë nga Evropa, 64 nga Amerika, 54 nga Afrika, 36 nga Azia dhe 9 nga Oqeania. Nga Shqipëria, është i pranishëm Sekretari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike, imzot George Frendo, ipeshkvi ndihmës i Tiranës. Të pranishëm edhe 24 ekspertë dhe 51 dëgjues, ndër të cilët 18 çifte, prindër e kryefamiljarë, që do të flasin në sallë. Gjithashtu, marrin pjesë edhe 14 delegatë të Kishave e bashkësive të tjera të krishtera. Në konferencën e sotme për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, kardinali Lorenzo Baldisseri, sqaroi metodologjinë e re, të miratuar nga Papa Françesku:

“Duke pasur parasysh metodologjinë e Sinodeve të mëparshme, shumica e Etërve sinodalë propozuan që Asambleja e Përgjithshme dhe e Zakonshme të jetë më dinamike e më e ndjerë, përmes shpërdarjes së ndërhyrjeve të anëtarëve në atë mënyrë, që na lejon t’i kushtojmë më shumë vëmendje çdo kontributi. Përveç kësaj, ata kërkuan të vlerësohet më shumë puna në Rrethet e vogla, ku pjesëmarrja në diskutim është më aktive, kemi një konfrontim më të drejtpërdrejtë e të menjëhershëm të etërve në gjuhën e tyre, në të cilën mund të bëhen edhe ndërhyrjet e dëgjuesve dhe të delegatëve vëllezër”.

18 mbledhje të përgjithshme dhe 13 Rrethe të vogla

Mbledhjet apo Kongregacionet e përgjithshme do të jenë 18, më pak se në Sinodin e mëparshëm, për t’u lënë vend diskutimeve në Rrethet e vogla, të cilat përbëhen nga 20 vetë, që flasin të njëjtën gjuhë. Punimet në sallë do të ndahen në tri etapa. Secila prej tyre i korrespondon një pjese të Instrumentum Laboris: sfidat për familjen, shoshitja e thirrjes familjare dhe misioni i familjes sot. Në përfundim të çdo etape, Rrethet e vogla - që do të mblidhen 13 herë, pra më shumë se në Sinodet e mëparshme - do të hartojnë një relacion të shkurtër, i cili do të bëhet publik. Si zakonisht, do të mbahet edhe ora e diskutimit të lirë në sallë.

Komisioni me 10 anëtarë harton “Relatio Finalis”

 Një Komision i caktuar nga Papa Françesku e i kryesuar nga kardinali hungarez Peter Erdë, me anëtarë nga të pesë kontinentet, do të hartojë “Relatio Finalis”, dokumentin përfundimtar të Sinodit, çdo pikë e të cilit do të votohet një nga një nga shumica e kualifikuar e ipeshkvijve, më 24 tetor, pasdite. Ai do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë, i cili do të vendosë nëse do të bëhet publik. Nuk do të ketë një “Relatio post disceptationem”.

Marrëdhëniet e Sinodit me shtypin

Përsa i përket komunikimit me mediat, kardinali Baldisseri shpjegoi:

“Të mbahet parasysh kriteri themelor, kujtuar disa herë nga Papa: Sinodi duhet të jetë një hapësirë e mbrojtur, ku të veprojë Shpirti Shenjt, në mënyrë që Etërit sinodalë të shprehen me liri dhe me parrezi, pra, të thonë gjithçka kanë ndërmend, haptas. Çdo ditë, në orën 13.00, do të ketë një takim me shtypin, ku do të marin pjesë edhe Etër sinodalë, të cilët janë të lirë të komunikojnë me mediat, me vetëdije e përgjegjësi”.

Kremtimet e kryesuara nga Papa

Tri janë kremtimet e kryesuara nga Papa Françesku: mesha e sotme e hapjes dhe ajo përfundimtare e mbylljes, më 25 tetor; pastaj, ajo e 18 tetorit për shenjtërimin e të Lumëve Vincenzo Grossi, Maria e Zojës së Papërlyer dhe të bashkëshortëve Martin, prindër të shën Terezës së Krishtit Fëmijë, reliket e të cilëve do të ekspozohen në Bazilikën e Vatikanit. Ipeshkvijtë presin që nesër Papa të marrë fjalën në Sallën e Sinodit, por edhe në përkujtimin e 50-vjetorit të Sinodit, më 17 tetor. I hapur për publikun, relacioni përkujtimor i kësaj ngjarjeje do të mbahet nga kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Kristof Shënborn. Të gjithë besimtarët ftohen ta shoqërojnë me lutje Sinodin. Në Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë do të thuhet çdo ditë Rruzarja e do të kremtohet mesha: në javën e parë, lutja u kushtohet bijve, në të dytën, prindërve e në të tretën, gjyshërve.

Papa fton të diskutohet me parrezi

 Përsa i përket atmosferës, që rrethon Sinodin, kardinali Baldisseri tha:

 “Papa na fton të diskutojmë me parrezi (pra, lirisht), me mendje të hapur, si në kuadrin kishtar, ashtu edhe jashtë tij. Prandaj, nuk duhet të çuditë fakti se ka qëndrime apo deklarata të kundërta. Kjo dihej, është pak si në Koncil: në atë kohë, shpreheshin haptas qëndrimet e kundërta. Pastaj, u arrit në konsensus e dokumentet u miratuan. Kështu që kjo nuk është ndonjë çudi. …Ka pasur edhe shumë studime, në periudhën ndërmjet dy Sinodeve, me reflektime vërtet interesante. E dimë këtë e jemi vërtet të kënaqur. Mund të duken pak ‘trazira’ për disa tema, por jemi në det, prandaj, ka edhe ‘trazira’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.