2015-10-02 14:09:00

Expo: kard. Parolin në pavionin e Selisë së Shenjtë


Pavioni i Selisë së Shenjtë në Expo është rast “për të reflektuar mbi problemet e mëdha të njeriut e mbi përgjigjet e Kishës për to. Është zbatimi gati fjalë për fjalë i ftesës së Papës, gjatë fjalimit të tij në OKB”. Kështu deklaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë vizitës së tij në pavionin e Selisë së Shenjtë në Expo-në (Ekspozita universale) e Milanos.

         Kardinali, i cili shkoi në Milano me tren, së bashku me një delegacion italian, e filloi vizitën pikërisht në Pallatin e Italisë. Pasdite, pa pavionin e Selisë së Shenjtë, ndërtuar mbi temën “Jo vetëm me bukë…”. Si çdo vizitor, edhe kardinalit i ra menjëherë në sy muri me fotografi, ku pasqyrohet një valë me histori, vështrime, fytyra. Është vala e njerëzimit në ecje e në kërkim. Janë imazhe të marra nga të katër anët e botës, që flasin për urinë e njeriut, në kuptimin e saj më të gjerë: uri materiale, por edhe uri shpirtërore. Kardinali kaloi pastaj në tryezën multimediale, e cila është njëkohësisht, mensë, elter, vend i jetës së përditshme. E pastaj, admiroi dy veprat e ekspozuara: sixhaden “Themelimi i Eukaristisë” i Rubensit dhe “Darka e Mbrame” e Tintoretos.

         Pavionin e Selisë së Shenjtë e kanë vizituar tashmë mëse 1 milion vetë. Kardinali Parolin kujtoi fjalimin e Papës Françesku në OKB, me të cilin tërhoqi vëmendjen e të pushtetshmëve të botës ndaj ambientit, ushqimit për të gjithë e solidaritetit me të varfërit. Expo, vërejti kardinali, është rast për takim pozitiv ndërmjet popujve. Etapa e fundit e vizitës, në dhomën e Karitasit, me temë “Të ndajmë për të shumëfishuar”. Propozimi është natyrisht, ndarja e pasurive, dijeve dhe aftësive për të zgjidhur problemet e një bote, ku 7 miliard vetë prodhojnë ushqim për 12 miliard, por 800 milion prej tyre vuajnë nga uria.








All the contents on this site are copyrighted ©.