2015-09-30 15:27:00

Papa bekon shtatoren e Shën Ritës: historia e saj, e jashtëzakonshme


“Ta rikujtojmë përvojën e jashtëzakonshme njerëzore e shpirtërore të shën Ritës nga Kasha si shenjë e fuqisë së mëshirës së Zotit”. Kjo qe ftesa e Papës Françesku në fund të audiencës së përgjithshme, pas bekimit të shtatores së shenjtes. E punuar në gur gëlqeror të Libanit, 6 metra e lartë dhe me peshë 30 ton, shtatorja do të vendoset në udhëkryqin ndërmjet Kashës e Rokaporenës në Itali. Kujtojmë se shën Rita lindi në Rokaporena e vdiq në Kasha. Njihet si shenjtja e “rasteve të pamundura”, sepse asaj i drejtohen njerëzit për zgjidhjen e çështjeve të pashpresa. Po ç’hyn Libani në këtë mes? E shpjegon, në mikrofonin tonë, zv.kryetari i bashkisë së Kashës, Mario De Carolis:

         Gjëja më tronditëse është sidomos devocioni i Libanit ndaj shenjtes sonë. Kisha maronite e financoi veprën e skulptori libanez Nayef Alwan e realizoi atë. Sot në Sheshin e Shën Pjetrit na emocionoi. Ne kemi lidhje të ngushta me një qytet të Libanit e në mars, shkuam në këtë vend e vizituam manastiret. Në çdo kishë ishte shtatorja e shën Ritës. Na bëri shumë përshtypje.

         Përurimi i shtatores do të kremtohet me një meshë të kryesuar nga Patriarku i Antiokisë së maronitëve, kardinali Béchara Boutros Rai. Motër Natalina Todeschini, eprorja e kuvendit të klauzurës së Kashës, ku ka jetuar Shën Rita, tregon arsyen për të cilën të devotshmit e shën Ritës vazhdojnë të shtohen:

         Shën Rita është shenjte e popullit e për popullin; devocioni ndaj saj është kaq i fuqishëm në të gjithë botën, sepse shumë e ndjejnë afër, si njeriun e tyre. E dimë të gjithë se kjo varet nga fakti se Shën Rita, si bijë, grua, nënë, vejushë dhe së fundi, si e shuguruar, jetoi në thjeshtësi e kaloi një jetë, që mund të jetë e secilit prej nesh. Ja pse njerëzit e shohin si një mike, me të cilën flasin, së cilës i besojnë, e cila mund t’ia kuptojë shpirtin dhe nevojat gjithkujt. Si bashkëshorte, ajo na jep një shembull të madh tolerance, altruizmi, durimi. Pati një burrë jo të lehtë, por nuk u dorëzua kurrë! Tha: “Dua ta bëj tim shoq të jetojë qetësisht me mua e me fëmijët, që na dha Zoti”. E për këtë, u lut shumë. Pastaj, shohim Shën Ritën nënë e nënat duan më të mirën për bijtë e tyre. Fatkeqësisht, u gjend në situatën kur, pasi i vranë të shoqin, të bijtë donin të hakmerreshin. Shën Rita u lut, u përgjërua, bëri gjithçka mundi që të bijtë të mos njolloseshin me gjak. Të bijtë u sëmurën e vdiqën, por – siç donte shën Rita – nuk derdhën gjakun e të tjerëve. Kërkoi paqen me çdo kusht, duke shkuar nga familja në familje për të paqtuar zemrat, që s’mendonin tjetër veçse për urrejtjen. Ia arriti qëllimit, sepse besonte me gjithë shpirt se Zoti mund ta sjellë paqen në zemrat e njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.