2015-09-29 14:10:00

Udhëtimi i Papës Françesku në Kubë e në SHBA, në 10 pikë


Të shumta, komentet e reflektimet mbi vizitën e Papës Françesku në Kubë e në SHBA-të, që sapo përfundoi. Shtegtimi më i gjatë i papnisë është quajtur historik nga vëzhguesit e analistët. Gjatë udhëtimit, Ati i Shenjtë dha mesazhe jo vetëm për Kishën e shoqërinë e këtyre dy vendeve, por për gjithë botën. Po jua propozojmë sërish në 10 pika:

1.  “Të ndërtohen ura”

Në një epokë konfliktesh në rritje, Papa na fton të ndërtojmë ura, “ura të vogla, por një urë e vogël pas tjetrës, ndërton urën e madhe të paqes”. Fjala është për të krijuar bashkim, miqësi solidare, që i shërben së mirës së përbashkët, duke respektuar ndryshimet ndërmjet njerëzve. “Metoda jonë – pohoi Ati i Shenjtë – është dialogu, jo për ndonjë strategji të zgjuar, por për besnikërinë ndaj Atij, që nuk lodhet kurrë së propozuari ftesën e Tij të dashurisë”. T’ua ofrojmë njerëzve thesarin e Ungjillit me përvuajtëri, këshilloi Papa, duke shmangur gjuhën e ashpër e luftarake të ndarjes. Vetëm bukuria e qëndrueshme e mirësisë dhe e dashurisë është vërtet bindëse. Të kujtojmë gjithnjë se tjetri është “vëlla, tek i cili duhet të mbërrijmë për ta shpëtuar”. Akte konkrete të “ndërtimit të urave”, që u vunë në dukje gjatë udhëtimit të Atit të Shenjtë, janë afrimi i SHBA-ve me Kubën dhe njoftimi i marrëveshjes së paqes në Kolumbi, arritur edhe falë rolit të Papës Françesku, pas gjysëm shekulli konfliktesh.  

2. “Të mos mbyllemi në stereotipin e ideologjive dhe të feve”

         “Zemra e mendje të hapura”, bëri thirrje Ati i Shenjtë. Duhet të respektojmë e të dëgjojmë edhe ata, që e mendojnë ndryshe. “Kur feja bëhet stereotip, për të cilin unë jam i mirë e ti je i keq”, humb gjithçka ka të mirë e sidomos, aftësinë për të adhuruar e për të besuar në Zotin. Ky tundim i ndarjes me thikë ndërmjet së mirës e të keqes e ndan edhe botën në “të drejtë e mëkatarë”. “Në përpjekjen për t’u çliruar nga armiku i jashtëm – përdori Papa një terminologji, që u drejtohet drejtpërdrejt ideologjive të caktuara – mund të tundohemi të ushqejmë armikun e brendshëm”: urrejtjen. Feja është hapje, tha Ati i Shenjtë gjatë shtegtimit, larg nga çdo elitarizëm, nuk është për pak të privilegjuar, të aftë të arrijnë nivele të larta përshpirtërie. Feja u propozohet të gjithëve.

3. “Kush shërben më të voglin, shërben Jezusin në mënyrën më të lartë”

         Logjika e dashurisë së Jezusit e pështjellon logjikën tonë. Dashuri do të thotë t’u shërbesh më të brishtëve: “shërbimi e sheh tjetrin në sy, prek korpin e tij”, të përfshin krejtësisht. “Shërbimi – nënvizoi Papa Françesku – nuk është kurrë ideologjik, pasi nuk u shërben ideve, por njerëzve”. Duhe të kemi kujdes, këshilloi Ati i Shenjtë, nga planet joshëse, që s’pyesin për fytyrën e të afërmit. Të duam dhe t’i përkëdhelim ata, që bota i hedh, sepse do të dëshironte të mos ekzistonin, si fëmijët e abortuar, të sëmurët e të varfërit. Aty ku i shërbejmë atyre, që për botën janë të kotë, sepse nuk xjerr para prej tyre, aty, nënvizoi Papa, “shkëlqen Jezusi. E aty shndrit edhe fakti që kam zgjedhur Jezusin”.

4. “Revolucioni ynë kalon nga dhembshuria”

         Papa na fton të besojmë në forcën revolucionare të dhembshurisë, të ëmbëlsisë. “Nuk  është mëshirë e shtirë, do të thotë të vuash me dikë, për ta çliruar”. Do të thotë ta çosh mëshirën e Jezusit ku është mëkati, ku është dështimi. Pa frikë e pa purizma. Takimi me vështrimin e mëshirshëm të Jezusit ta ndryshon jetën, jep jetë të re. E meshtarët, Ati i Shenjtë i këshilloi: “Të jeni njerëz, që falin. Mos u lodhni kurrë kur falni… Mos u fshihni pas frikës, ose pas rreptësisë”. E citoi shën Ambrozin: “Ku ka mëshirë, aty është shpirti i Jezusit. Ku ka rreptësi, aty janë vetëm ministrat e Tij”. Mallëngjyese, takimet në SHBA-të me viktimat e abuzimeve seksuale dhe me të burgosurit.

5. Rendja pas pasurisë “na varfëron nga e vetmja pasuri që vlen”

         Lumnia e parë ekzalton të varfërit në shpirt. Është e nevojshme të administrohet me urti pasuria, nënvizoi Papa, por rendja pas pasurive të kësaj bote “na varfëron”, shkatërron edhe shpirtrat më bujarë, duke i bërë mediokre, pa dashuri. Fryma e varfërisë bën të lindë besimi në Zotin. Kur një Kongregatë është e lidhur me pasurinë, Zoti, bëri shaka Ati i Shenjtë, i çon “një ekonom shkatërrimtar që e bën të falimentojë. Ekonomët e tillë janë bekimet më të mira të Zotit për Kishën e vet, sepse e bëjnë të lirë, e bëjnë të varfër”.

6. “Një Kishë që del nga tempujt”

         “Prania e Zotit në jetën tonë – koncept tjetër i Papës, ky – nuk na lë kurrë të qetë, na nxit të lëvizim, të dalim nga shtëpia për ta ndarë me të tjerët gëzimin e marrë”. Për Atin e Shenjtë, Kisha duhet të dalë nga sakrestitë, duhet të shoqërojë jetën, të mbështesë shpresën e njerëzve, edhe në gjendje aspak të lehta. E kjo duhet bërë jo përmes predikimit të doktrinave të ndërlikuara, theksoi Papa, por përmes kumtimit të gëzueshëm të Krishtit, vdekur e ngjallur për ne, përmes kumtimit të dashurisë e të së vërtetës, që të ngroh zemrën. “Populli besnik i Zotit nuk ka frikë nga gabimi: ka frikë nga mbyllja, nga formimi i elitave, nga rendja pas sigurisë personale”, ngriti zërin Ati i Shenjtë, sidomos kur u foli ipeshkvijve amerikanë, të cilët i ftoi të mbështeten në traditën e krishterë të së kaluarës, por edhe të shkojnë në mision, pasi ta kenë provuar në jetën e tyre se Zoti i ka kërkuar e i ka shëruar, i ka gjetur e i ka falur. “Shkoni! Kumtoni! – i nxiti Papa Françesku. Gëzimi i Ungjillit eksperimentohet, njihet e jetohet vetëm duke e dhuruar atë e duke dhuruar vetveten”. Ati i Shenjtë kërkoi t’u jepet më shumë hapësirë të rinjve dhe grave në Kishë. “E ardhmja e Kishës – nënvizoi ai – kërkon që tani, një pjesëmarrje shumë më aktive të laikëve”.

7. “Shpresa na jep jetën”

         Në një kohë krize, Papa vuri theksin në fjalën “shpresë”. Nuk është optimizëm, sqaroi ai, është gjendje shpirtërore. “Shpresa – tha Ati i Shenjtë – di të vuajë për një projekt, di të sakrifikohet”. Shpreson ai, që di të japë jetën. Shpreson ai, që di të ëndërrojë gjëra të mëdha. Që këndej, thirrja: “Ëndërro që bota me ty mund të jetë ndryshe”. Shpresa e vërtetë e ka bazën në premtimin e Jezusit që nuk zhgënjen.

8. Ta ruajmë identitetin, për të mos rënë në “kërkimin sipërfaqësor të unitetit”

         Prirja e globalizimit është diçka e mirë, vërejti Papa Françesku gjatë shtegtimit X apostolik, por ka edhe një globalizim, që pretendon t’i bëjë të gjithë njëlloj, duke synuar me vetëdije uniformitetin njëpërmasor, i cili i zhduk ndryshimet e traditat. Globalizimi i mirë është ai që bashkon, duke ruajtur identitetin e secilit, në një “pluralizëm të shëndoshë”. E Papa iu lut Zojës së Bekuar të ruajë rrënjët, identitetin e të krishterëve, që të mos humbasin në rrugët e dëshpërimit.

9. Liria e drejtësia ecin së bashku

         Janë këto, dy fjalë, që Papa i përsëriti si në Kubë, ashtu edhe në SHBA-të. “Një komb – nënvizoi – mund të konsiderohet i madh, kur mbron lirinë, promovon të drejta të plota për të gjithë, lufton për drejtësinë e për çështjen e të shtypurve, hedh farën e paqes”. Ati i Shenjtë kërkoi shtëpi, punë, tokë, për të gjithë; kërkoi lirinë fetare e atë të ndërgjegjes; kërkoi të respektohet e drejta për jetën në çdo fazë të saj e u shpreh kundër dënimin me vdekje; kërkoi të mbrohet ambienti. E para sfidës së jashtëzakonshme të emigracionit, kujtoi rregullën e artë të Ungjillit: “Bëju të tjerëve atë, që do të dëshiroje të të bënin ty”. Ngriti gjithashtu zërin për të ndaluar persekutimet kundër pakicave etnike e fetare dhe tregtinë e armëve.

10. “Të mbrojmë familjen, sepse aty luhet e ardhmja”

         Vetëm pak ditë para nisjes së Sinodit për familjen, Ati i Shenjtë theksoi se “familja na mbron nga dy fenomene aktuale: fragmentimi - pra përçarja, sepse në shoqërinë e komunikimit po humbasin gjithnjë e më shumë lidhjet e vërteta - dhe masivizimi. Në të dyja rastet, njerëzit shndërrohen në individë të izoluar, që manipulohen e qeverisen lehtë”. Janë thjesht konsumatorë, denoncoi Papa, në një botë, që është kthyer në një supermarket të madh. E këto lloj shoqërish, vijoi Ati i Shenjtë, janë pasojë e prishjes së lidhjeve familjare. “Familja është shkollë humaniteti, që na mëson t’i shohim me zemër nevojat e të tjerëve, të tregojmë kujdes për jetën e tyre”.

         Papa kritikoi përpjekjet për “kolonizimin ideologjik, përmes imponimit të modeleve e të mënyrave të jetesës, të huaja për identitetin e popujve e të papërgjegjshme. Ritheksoi të drejtën parësore të prindërve në edukimin e fëmijëve. Mbrojtja e ambientit, saktësoi Ati i Shenjtë, përfshin edhe njohjen e ligjit moral të shkruar në vetë natyrën njerëzore, ku dallohen natyrshëm burri e gruaja e, përfshin edhe respektin absolut për jetën në të gjitha fazat e përmasat. Është e nevojshme, vërejti Papa Françesku, që Kisha t’i qëndrojë afër familjes në një mënyrë të re. “Duhet hedhur fara edhe në brazdën e shtrembër”, e duke cituar Ungjillin, Ati i Shenjtë tha: atëherë, “edhe një grua samaritane me pesë ‘jo-bashkëshortë’ është e aftë për dëshmi. E për një të ri të pasur, që trishtueshëm, ndjen se duhet të mendojë akoma me qetësi, do të ketë një publikan të pjekur, që do të zbresë me vrap nga pema e do të ndahet katërsh për të varfërit, për të cilët – deri në atë çast – nuk kishte menduar kurrë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.