2015-09-29 14:59:00

Dita e Komunikimeve Shoqërore mbi temën e mëshirës


Komunikimi e Mëshira: një takim i frytshëm”: kjo është tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën e 50-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që bie të dielën më 8 maj, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, apo siç njihet tek shqiptarë festa e të Shëlbuemit.

Kujtojmë se Dita e parë Botërore e Komunikimeve Shoqërore qe kremtuar për herë të parë më 7 maj 1967. Mesazhi i Papës, sipas traditës, shpallet çdo vit më 24 janar, në përkujtimin liturgjik të Shën Françeskut Sales, pajtor qiellor i gazetarëve.

Papa Françesku ka pohuar disa herë se prania e Kishës në fushën e komunikimit shoqërore, tashmë edhe në internet, është e domosdoshme, por nuk duhet harruar se vetëm teknologjia nuk mjafton, lypet përmbajtja.

Pra, Papa Françesku na e kujton të gjithëve se sot komunikimi nuk është vetëm një arritje teknologjike. Duhet të rizbulojmë se në themel të komunikimit është vizioni e përmbajtja e Ungjillit, vizioni i Kishës mbi njeriun e shoqërinë. Prandaj Papa Françesku na fton të gjithëve ta kthejmë vështrimin drejt dritës ungjillor, sepse jemi të thirrur t’i japim një fytyrë komunikimit dhe mesazhit që përçon Kisha përmes këtyre mjeteve. Papa kërkon një fytyrë më të vëmendshme, më afër njerëzve, që sot ecin nëpër rrugët e vështira të realitetit të ndërlikuar bashkëkohor.

Papa Françesku na fton t’i japim jetë kulturës së komunikimit e kulturës së dhembshurisë. Kjo është tema që ai ka zgjedhur për Ditën botërore të Komunikimeve: “Komunikimi dhe Mëshira: një takim i frytshëm”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.