2015-09-28 11:53:00

Papa: turp për abuzimet, përgjegjësit të japin llogari


Më ndjek pas turpi për të cilin edhe Zoti derdh lot. Të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari. Kështu u tha dje Papa Françesku ipeshkvijve të mbledhur në Takimin Botëror të Familjeve, të cilëve u foli menjëherë pas takimit me një grup viktimash të abuzimeve seksuale nga ana e anëtarëve të klerit, por edhe nga ana e anëtarëve të familjeve të tyre e të edukatorëve.

“Vetë Zoti derdh lot – u tha Papa ipeshkvijve, para se t’u fliste për familjen, sfidat e saj e për përgjigjen, që duhet të japë Kisha. Krimet, këto mëkate të rënda të abuzimit seksual kundër të miturve nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë. Impenjohem që Kisha të vigjëlojë me xhelozi për mbrojtjen e të miturve dhe premtoj se të gjithë përgjegjësit do të japin llogari”.

Zëri plot emocion i Atit të Shenjtë Bergoglio tregoi se abuzimet me të miturit kanë lënë gjurmë të thella në zemrën e Papës. Françesku vuri në dukje se vetë viktimat janë shndërruar në ministra të mëshirës, pasi shumë prej tyre, së bashku me familjet e të afërmit po e ndihmojnë Kishën në betejën kundër abuzimeve.

 Vërtet, në orët e para të mëngjesit – siç deklaroi zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ndërmjet orës 8.00 dhe 9.00 (me orën amerikane) -  në seminarin e shën Karl Borromeut, Papa Françesku u takua me 5 vetë – 3 gra e dy burra – që janë abuzuar kur ishin të vegjël. Secili prej tyre shoqërohej nga një familjar, ose një mik. Papa dëgjoi dëshmitë dhe u tha vizitorëve disa fjalë, për t’i përshëndetur më pas, një për një. U lut me ta. U tha se merr pjesë në vuajtjet e tyre e se i dhemb shpirti e i vjen turp në veçanti, për plagët e hapura nga sjellja e anëtarëve të klerit apo e bashkëpunëtorëve kishtarë.

“Fjalët nuk arrijnë të shprehin plotësisht dhimbjen time për abuzimet, që keni pësuar – kështu foli Ati i Shenjtë. Jeni bij të çmuar të Zotit e do të duhej të prisni gjithnjë mbrojtjen tonë, kujdesin e dashurinë tonë. Më vjen thellësisht keq për faktin se pafajësia juaj është dhunuar nga ata, të cilëve ju u besonit. Në disa raste, besimi është tradhtuar nga anëtarë të vetë familjes suaj, në raste të tjera, nga meshtarë, që kanë përgjegjësinë shenjte të kujdesen për shpirtrat. Në çdo rast, tradhtia është dhunim i tmerrshëm i dinjitetit njerëzor”.

Papa shprehu keqardhjen e thellë personale për sa herë vetë viktimat, ose familjet e tyre i kanë denoncuar abuzimet, por nuk janë dëgjuar, ose nuk janë besuar. “Ju lutem ta besoni – u tha - se Ati i Shenjtë ju dëgjon dhe ju beson. Më vjen thellësisht keq që disa ipeshkvij nuk e kanë kryer detyrën e tyre për të mbrojtur fëmijët. Është shumë shqetësuese të dish se në disa raste, kanë qenë vetë ipeshkvijtë ata, që kanë kryer abuzime. Ju premtoj se do të ndjekim udhën e së vërtetës, kudo të na shpjerë. Kleri dhe ipeshkvijtë do të thirren të japin llogari nëse kanë abuzuar me fëmijët, ose nuk kanë qenë në gjendje t’i mbrojnë”.

Papa i falenderoi viktimat për kontributin e tyre thelbësor në rivendosjen e së vërtetës e në fillimin e rrugës së shërimit.

“Më vjen mirë – shprehu mirëdashjen e tij, Ati i Shenjtë - që keni sjellë me vete anëtarë të familjes e miq në këtë takim, sot. U jam mirënjohës atyre për mbështetjen plot dashuri për ju e lutem që njerëzit e Kishës të dinë t’i përgjigjen nevojës për t’i shoqëruar ata, që kanë pësuar abuzime. Porta e mëshirës qoftë gjithnjë e hapur në dioqezat tona, në famullitë tona, në shtëpitë e në zemrat tona, për të pritur ata, që kanë pësuar abuzime e, për të kërkuar udhën e faljes, me besim në Zotin. Ne premtojmë ta mbështesim shërimin tuaj e të jemi gjithnjë vigjilentë për të mbrojtur fëmijët e sotëm e të nesërm”.

E në fund të takimit, që zgjati rreth gjysëm ore dhe përfundoi me bekimin e Atit të Shenjtë, Papa u kërkoi të pranishmëve të mos largohen nga Kisha e Krishtit:

“Kur dishepujt, që ecnin pranë Jezusit për në Emaus, e njohën se Ai ishte Zoti i Ringjallur, i kërkuan të rrinte me ta – kujtoi Papa Ungjillin. Si ata dishepuj, unë lus me përvuajtëri ju dhe të gjitha viktimat e abuzimeve të rrinë me ne, të rrinë me Kishën, që, së bashku, si shtegtarët në udhëtimin e fesë, të gjejmë rrugën për të arritur tek Ati Qiellor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.