2015-09-28 14:06:00

Papa Françesku: SHBA tokë e mundësive, dhuratat që keni ndajeni bashkë me të tjerët


Toka juaj “ka qenë e bekuar me dhurata e mundësi të jashtëzakonshme”, jini “rojtarë bujarë” e të vëmendshëm ndaj njerëzve që janë të mënjanuar. Ky qe mendimi i mbram i Papës drejtuar SHBA-së para se të niste udhëtimin e kthimit për në Romë. Përshëndetja e Papa Françeskut në aeroportin e Philadelphia-s, në praninë e zëvendës presidentit amerikan Joe Biden, iu drejtuar afër 500 personave të pranishëm mes organizatorëve, vullnetarëve dhe bamirësve që kanë përgatitur e mbështetur vizitën papnore.


Ditë këto të paharrueshme, disa prej të cilëve tashmë janë gati për të hyrë në histori, për Papa Françeskun qenë të “shkurta”. Kështu u shpreh në fjalimin e fundit Papa në aeroportin e Philadelphia-s, duke shfaqur ndjenjat që i ruan në zemrën e tij atërore në momentin e ndarjes nga Shtetet e Bashkuara.
Ditë “të shkurta” por edhe “ditë bekimi të madh”, fjalët e Papës, një gërshetim mes falënderimeve  e kujtimeve të freskëta, jehuan në aeroportin e Philadelphia-s drejtuar grupit të vogël e të domosdoshëm të organizatorëve e vullnetarëve, shtyllë kurrizore e vizitës papnore . Ati i Shenjtë Bergoglio e vlerësoi guximin e familjeve për dëshmitë e tyre që i “ndanë bashkë me publikun” në Takimin VIII botëror:
“Sinqeriteti tyre e përvujtëria  para Zotit e para nesh rrëfen bukurinë e jetës familjare në tërë pasurinë e larminë e saj. Lus Zotin që këto ditë lutjeje e reflektimi mbi rëndësinë e familjes për një shoqëri të shëndosh, t’i inkurajojnë familjet të impenjohen përherë më shumë në udhën e shenjtërimit dhe ta shohin Kishën si një shoqe besnike të tyre, në çfarëdolloj sprovash që u duhet të përballojnë”.
Papa Françesku kujtoi kanonizimin e Junipero Serra dhe mesazhin e tij misionar, e pastaj përmendi qëndrimin në “Ground Zero”, vend ku ri jehon “fuqishëm” “misteri i së keqes”...
“...por ne e dimë me bindje se e keqja nuk e ka kurrë fjalën e fundit e se, në planin e mëshirshëm të Zotit, dashuria dhe paqja ngadhënjejnë mbi gjithçka”.
Fjalët e Papa Françeskut në aeroportin e Philadelphia-s i dëgjonte zëvendës presidenti amerikan, Joe Biden, që u bë përçues i një mesazhi tjerë papnor për autoritetet e larta amerikane:
“Kjo tokë ka qenë e bekuar prej Zotit me dhurata e mundësi të shumta. Lus Zotin të jeni rojtarë të mirë e bujarë  të burimeve njerëzore e materiale që u janë besuar(..) Kujdesi juaj ndaj meje dhe pritja juaj janë shenjë e dashurisë tuaj për Jezusin dhe e besnikërisë tuaj ndaj Tij. E po kështu janë kujdesi që keni për të varfrit, për të sëmurët, për të pastrehët dhe emigrantët, mbrojtja juaj e jetës në çdo fazë të saj, si dhe shqetësimet që keni për jetën familjare”.
Nënvizimi i fundit i Papa Françeskut në SHBA është për bujarinë e organizatorëve, të vullnetarëve e të bamirësve, të cilëve, Papa u rezervoi përqafimin e fundit. “Nuk soset këtu entuziazmi për Jezusin, për Kishën e tij, për familjet tona e për familjen më të madhe të shoqërisë”, u tha Papa atyre, duke shtuar: “Ashtu siç kemi marr shumë prej Zotit – dhuratat që na janë dhuruar falas e nuk janë prej forcave tona-, po kështu le të mundohemi, në shenjë shkëmbim, t’ia dhurojmë falas të tjerëve.
“God bless America!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.