Të kujdesemi e ta mbrojmë familjen, sepse aty luhet e ardhmja jonë. Kështu tha Papa Françesku në festën e madhe të familjeve në Takimin Botëror të Familjes, shoqëruar nga Lutja e Mbrëmjes. Për Françeskun, familja është fabrikë shprese, jete dhe ringjalljeje, sepse është dashur nga Zoti. “Pa u kujdesur për fëmijët e për gjyshërit – nënvizoi – nuk ka as forcë e as kujtesë. Mijëra njerëz duartrokitën dhe brohoritën për Atin e Shenjtë gjatë gjithë rrugës, që e çoi në shenjtëroren e shën Karl Borromeut e deri në podiumin e madh të B.Franklin Parkway.
Festë e ndjerë, plot muzikë, ngjyra, valle e dëshmi. Ngrohtësia, dashuria plot gëzim e familjeve nga e gjitha bota u pasqyruan në mallëngjimin dhe në buzëqeshjet e Papës, i cili dëgjoi dhe u lut edhe përmes jetës së burrave e të grave, që udhëhiqen nga feja. Dëshmitarë, që treguan përvojën e tyre e lexuan Shkrimin Shenjt. Foli Amy Wall, ishte shurdhe por u shërua me ndërhyrjen e shenjtes së Filadelfias, Caterina Mary Drexel; takimi, frika dhe premtimi, në fjalët e australianëve të emocionuar Camillus dhe Kelly, që do të martohen në nëntor; Mario e Rosa nga Argjentina sapo kishin kremtuar 60-vjetorin e martesës.
Gianna Emanuela Molla
Para Papës lexoi Gianna Emanuela Molla, e bija e shenjtes Gianna Beretta Molla, që së bashku me shën Gjon Palin II, është Pajtore e Takimit Botëror të Familjeve. Në podium u ngjit edhe Herb Lusk, lojtari i parë i futbollit në historinë e SHBA-ve që u gjunjëzua për t’u lutur pas një “touchdown”: ishte viti 1977. Ndër koreografitë e bukura me drita, edhe notat e gospelit të Aretha Franklin. Të shumta ishin dëshmitë e gëzimit, të vështirësive e të rilindjes pas tyre: nga Ukraina në Nigeri, nga SHBA-të në Jordani.
Shoqëri e fortë dhe familje
Duke folur pa letër, Papa Françesku shprehu menjëherë mirënjohjen për dëshmitë e vërteta e të ndjera dhe për artin, që u manifestua në njëmijë mënyra gjatë festës. Janë rrugë, që çojnë tek Zoti, nënvizoi. Zoti është i mirë, i bukur, është i vërtetë e familja është dashur prej Hyjit:
“Shoqëria rritet e fortë, rritet mirë, zhvillohet, nëse ndërtohet mbi themelin e familjes”.
Krijimi dhe familja
Papa u tregoi të pranishmëve për një pyetje, që i pati bërë dikur një fëmijë: “Çfarë bënte Zoti, para se të krijonte botën”?
“Para se të krijonte botën, Zoti donte, sepse është Dashuri… Një dashuri kaq e madhe e kaq e gjithanshme, sa krijoi botën. Një mrekulli, të cilën po e shkatërrojmë. Zoti i dha gjithçka njeriut. Të gjithë dashurinë që ka në vetvete, të gjithë bukurinë, të gjithë të vërtetën, Zoti ia dorëzoi familjes”.
Krahët hapur për familjen
Ati i Shenjtë shpjegoi se familja është vërtet e tillë, kur është në gjendje të hapë krahët e të mirëpresë gjithçka me dashuri. Papa përmendi përçarjen e parë ndër njerëz, vëllavrasjen e parë, që janë luftrat, por, theksoi, varet prej nesh cilën rrugë të zgjedhim. Zoti nuk e braktis njeriun e, edhe pas tradhtisë së Adamit e të Evës, e shoqëron njerëzimin deri në dhurimin e Birit të Tij të vetëm. Ati i Shenjtë foli për bukurinë e zemrës së hapur, si ajo e shën Marisë dhe e shën Jozefit, të cilët krijuan një familje me zemër të hapur për dashurinë:
Zoti e kërkon familjen
“Zoti troket gjithnjë në portat e zemrave”.
Zotit, shtoi Françesku, i pëlqen të trokasë në portat e familjeve, t’i gjejë së bashku, me dëshirën për të kërkuar familje të tjera, në mënyrë që të krijohet një shoqëri, ku të kenë vend “mirësia, e vërteta dhe bukuria”. Për Papën, familja ka pasaportën e “nënshtetësisë hyjnore” dhe bazohet në dashuri, bukuri e vërtetësi:
“Në familje ka edhe vështirësi. Zënie, lodhje… por ajo është gjithnjë një fabrikë shprese, ringjalljeje e jete, sepse është dashur nga Zoti”.
Fëmijët e gjyshërit
Ati i Shenjtë foli më pas për fëmijët e të rinjtë, të cilët janë e ardhmja e botës, por edhe për gjyshërit, që janë kujtesa e saj:
“Janë ata, që na japin besim, që na kanë transmetuar fenë. Kujdesi për gjyshërit e kujdesi për fëmijët është shenjë dashurie. Një popull, që nuk di të kujdeset për fëmijët e për gjyshërit është pa të ardhme, sepse nuk ka as forcë e as kujtesë”.
E ne, shtoi Papa, e mbrojmë familjen, pikërisht se aty luhet e ardhmja jonë. Edhe një herë Ati i Shenjtë i këshilloi çiftet të mos e përfundojnë ditën me zënie, ose të mërzitur me njëri-tjetrin, me besim se Zoti i ndihmon dhe i mbron.
Murales i nënshkruar nga Papa
Pas fjalës së Papës, kryeipeshkvi i Filadelfias, qyteti i Liberty Bell (këmbanës që mblodhi dikur qytetarët për leximin e Deklaratës së Pavarësisë) e qyteti i muraleve, imzot Charles Joseph Chaput tha se i kishte ardhur radha një “çasti të veçantë, që nuk do të harrohet kurrë”. Në podium u sollën tre panele të një murales, pra të një pikture gjigante në mur, në të cilën, burra, gra, fëmijë e të moshuar, kanë punuar gjatë gjithë verës. Do të vendoset në fasadën e shkollës “Shën Malakia”. Papa e përfundoi veprën me penelatën e fundit e me firmën e vet. Më pas, ekzekutimi emocionues i lutjes “Ati ynë”nga këngëtari i njohur italian Andrea Bocelli.
Të luftojmë për familjen
Para bekimit përfundimtar, Papa iu lut Virgjërës Mari dhe kërkoi mbrojtjen e shën Jozefit për familjet, në mënyrë që ata – tha Ati i Shenjtë – “të na ndihmojnë të besojmë se ia vlen të luftojmë për familjen”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |