2015-09-27 14:08:00

Papa, klerit: e ardhmja e Kishës është në rolin aktiv të grave e të laikëve


Thirrja për ndjenjën e përgjegjësisë personale të besimtarëve në misionin e Kishës dhe vlerësimi i kontributit të jashtëzakonshëm të grave: këto argumente ishin në qendër të homelisë së Papës Françesku në katedralen e Shën Pjetrit e të Shën Palit në Filadelfia, gjatë meshës me rreth 2000 ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë të Pensilvanisë.

Ta përtërijmë çdo ditë, gëzimin e takimit të parë me Jezusin

         “E ti ç’ke ndërmend të bësh?”: kjo qe pyetja që në fund të viteve ‘800, Papa Leoni XIII, tashmë në moshë të shtyrë, i pati bërë së resë Caterina Drexel, shenjtes së Filadelfias, e cila e kërkonte të çonte misionarë ndër njerëzit e vet. Kjo pyetje ia ndryshoi krejtësisht jetën asaj gruaje, e cila, e para, u bë vetë misionare. Me këtë shembull, Papa Françesku i nxiti ipeshkvijtë dhe klerin e Pensilvanisë t’i përgjigjen çdo ditë thirrjes së Zotit për të ndërtuar Kishën, të përtërijnë çdo ditë gëzimin e takimit të parë me Jezusin.

         “Sa të rinj në famullitë e shkollat tuaja kanë ideale të larta, bujari shpirti dhe dashuri për Krishtin e Kishën! A i vemë në provë? – pyeti Françesku – A u japim atyre hapësirë dhe a i ndihmojmë ta realizojnë detyrën e tyre?”

Sfida e Kishës, të rrisë ndjenjën e përgjegjësisë misionare të laikëve

         “Një nga sfidat më të mëdha të Kishës, në këtë çast, është të rrisë në të gjithë besimtarët ndjenjën e përgjegjësisë personale për misionin e Kishës dhe t’i bëjë të aftë ta marrin përsipër këtë përgjegjësi si dishepuj misionarë, si tharm i Ungjillit në botë”.

         Është e nevojshme të jemi krijues, nënvizoi Papa, për t’iu përshtatur situatave në ndryshim, duke transmetuar trashëgiminë e së kaluarës, jo vetëm përmes ruajtjes së strukturave dhe të institucioneve – që gjithsesi, janë të nevojshme – por, sidomos, duke ia hapur rrugën mundësive, që na i zbulon Shpirti Shenjt e përmes komunikimit të gëzimit të Ungjillit.

Të vlerësohet kontributi i grave

         Në një shoqëri, që ndryshon me shpejtësi, nënvizoi Ati i Shenjtë, e ardhmja e Kishës kërkon pjesëmarrjen më aktive të laikëve. Papa ftoi të ndërtohen baza më të shëndosha për katekizmin dhe edukimin, që jep Kisha amerikane:

         “Kjo nuk do të thotë të heqim dorë nga autoriteti shpirtëror, që na është dhënë, por do të thotë t’i shoshisim e t’i vlerësojmë dhuratat e shumta, që dikon Shpirti Shenjt në Kishë, në veçanti, të vlerësojmë kontributin e jashtëzakonshëm, që gratë, laike e rregulltare, kanë dhënë e vazhdojnë të japin në jetën e bashkësive tona”.

         Historia e Kishës së Filadelfias, shtoi Papa, nuk përbëhet vetëm nga ndërtesa të mrekullueshme si katedralja, por edhe nga shembja e mureve: breza të tërë katolikësh kanë shkuar drejt periferive, duke formuar bashkësi për kultin, edukimin, bamirësinë dhe shërbimin në shoqëri, për të varfërit, për emigrantët, të sëmurët e të burgosurit.

Ftesë për lutje për Sinodin e Familjes

         Të gjithë të pranishmëve, Ati i Shenjtë u kërkoi ta pasurojnë e ta transmetojnë këtë trashëgimi të madhe. Pastaj, ftesa që në këto ditë të Takimit Botëror të Familjeve, të reflektohet për shërbimin, që u jepet familjeve, çifteve që përgatiten për martesë, të rinjve, më kërkesën për t’u lutur për vendimet e Sinodit të ardhshëm për Familjen, që do të fillojë të dielën, më 4 tetor, në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.