2015-09-27 16:11:00

Komunikatë e atë Federiko Lombardit për takimin e Papës me viktimat e abuzimit seksual


Sot paradite, ndërmjet orës 8.00 e 9.00 (me orën amerikane), në seminarin e shën Karl Borromeut, Papa Françesku priti disa viktima të abuzimit seksual nga ana e anëtarëve të klerit, por edhe nga ana e anëtarëve të familjeve të tyre e të edukatorëve. Ishin 5 vetë – 3 gra e dy burra – që janë abuzuar kur ishin të vegjël. Secili prej tyre shoqërohej nga një familjar ose një mik. Grupi udhëhiqej nga kardinali Sean Patrick O’Malley, kryeipeshkëv i Bostonit dhe kryetar i Komisionit të themeluar nga Papa për mbrojtjen e të miturve; nga kryeipeshkvi i Filadelfias, imzot Charles Chaput dhe nga ipeshkvi Fitzgerald, përgjegjësi i zyrës së dioqezës së Filadelfias për mbrojtjen e të miturve.

         Papa dëgjoi dëshmitë dhe u tha vizitorëve disa fjalë, për t’i përshëndetur më pas, një për një. U lut me ta. U tha se merr pjesë në vuajtjet e tyre e se i dhemb shpirti e i vjen turp në veçanti, për plagët e hapura nga sjellja e anëtarëve të klerit apo e bashkëpunëtorëve kishtarë. Ritheksoi impenjimin e tij e të Kishës që të gjitha viktimat të dëgjohen e të trajtohen me drejtësi, që fajtorët të dënohet e krimet e abuzimit të luftohen me veprën e frytshme të parandalimit në Kishë e në shoqëri. Papa i falenderoi viktimat për kontributin e tyre thelbësor në rivendosjen e së vërtetës e në fillimin e rrugës së shërimit. Takimi zgjati rreth gjysëm ore dhe përfundoi me bekimin e Atit të Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.