2015-09-26 14:09:00

Papa: fëmijëve të emigrantëve, ëndërroni e luftoni për një jetë të lumtur


Bukuria e integrimit dhe qasja në edukim, gëzimi i ëndrrës sipas nxitjes së Martin Luther King, në fjalët e Papa Françeskut, i cili, në lagjen Harlem të Manhattanin, takoi nxënësit e shkollës fillore e të mesme “Zoja Jonë Mbretëresha e Engjëjve” .

Papa kërkoi falje për ndërprerjen e mësimit, por mesazhi i tij ishte i rëndësishëm për nxënësit që e dëgjonin, sepse atyre, bijë emigrantësh, refugjatësh e afroamerikanësh, ai u shpjegoi se sa është bukur të takosh njerëz të ri, megjithëse “të detyrohesh për t’u zhvendosur, të gjesh një shtëpi të re, fqinj të ri, miq, nuk është aspak  e lehtë. Në fillim mund të duket pak e mundimshme”.

E për fëmijët e ardhur nga Meksika apo nga Amerika e Jugut në SHBA-së, mësimi i gjuhën angleze “nuk është aspak i lehtë”. Kështu u shpreh Papa Françesku, i cili në kuadrin e udhëtimit të këtyre ditëve u desh të studionte shqipërimin e anglishtes.

“Në fillim – u tha Papa nxënësve të Lagjes Harlem ku shkoi për t’i vizituar në shkollën e hapur për ta nga fondacioni bamirës i Nju Jorkut – mësimi i një gjuhe të re mund të jetë pak i vështirë “. Por, shtoi Ati i Shenjtë Bergoglio duke iu drejtuar gjithnjë nxënësve:

“Është gjë e bukur sepse takojmë edhe miq të ri, takojmë njerëz që na i hapin dyert e na ofrojnë mirësinë e tyre, miqësinë e tyre, mirëkuptimin e tyre, e mundohen të na ndihmojnë që ne të mos ta ndjejmë vetën të huaj e të përjashtuar, por na ndihmojnë të ndjehemi si në shtëpi tonë”.
Ja kështu shkolla dhe vendet tjera të takimit e të integrimit, bëhen “një familje e madhe për të gjithë”, ku mësohet ndihma e anasjelltë, bashkëndarja e asaj që çdonjëri ka të mirë, ku mësojmë të japim atë që më të mirë kemi në vetvete, mësojmë të “punojnë në grup, të luajmë në grup, çka është e rëndësishme, e edhe të qëndrojmë së bashku udhës drejt synimeve tona”.

Papa ashtu siç bëri para Kongresin amerikan, edhe në shkollën e lagjes Harlem, citoi figurën e Martin Luther King, “një person që ka bërë shumë për të mirën e tjerëve”, u tha nxënësve, por edhe të rriturve, që e dëgjonin:

“Ai një ditë tha: “ Kam një ëndërr”. Ëndërroi se si shumë fëmijë, shumë njerëz do ta kishin fituar barazinë e shansave. Ëndërroi se si shumë fëmijë një ditë do të kishin mundësinë e edukimit. Ëndërroi se si shumë burra e gra, si ju, një ditë do të ishin kokën lartë, me dinjitetin e atij që ka arritur të jetë i zoti i vetvetes në jetë. Është gjë e bukur të kesh ëndrra e të mund të luftosh për to. Mos e harroni këtë.

Vazhdoni të ëndërroni, u kërkoi Papa nxënësve, “të festojmë” çdo herë kur të gjithëve, të mëdhenjve e të  vegjëlve, u jepet shansi për të mos e humbur “shpresën në një botë më të mirë, me mundësi më të mëdha”. E këtyre të vegjëlve që janë shpresa e nesërmes, Papa u kërkoi të jenë përherë të buzëqeshur, gëzimin e tyre ta përhapin tek njerëzit që i kanë afër. “Nuk është gjithmonë lehtë – e pranoi Papa Françesku – sepse në të gjitha shtëpitë ka probleme, ka situata të vështira, ka sëmundje, por mos e ndërprisni ëndrrën e një jete të lumtur”.

Sepse të gjithë, fëmijë e të mëdhenj, kanë të drejtë të ëndërrojnë, e kanë nevojë për një mbështetje të domosdoshme për t’i realizuar ëndrrat e mira.
Aty ku ka ëndrra, aty ku ka gëzim, aty është gjithmonë Jezusi. Sepse Jezusi është gëzim e dëshiron të na ndihmojë që ky gëzim të zgjatë për çdo ditë, tërë jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.