2015-09-25 16:21:00

Papës Françesku në fjalimin e tij Kombeve të Bashkuara: bota kërkon zgjidhje urgjente e efikase


“Punoni për paqen, drejtësinë, ambientin, familjen, mundësitë për arsimim, kundër luftrave e kundër persekutimeve”: kjo, këshilla atërore e Papës Françesku për përfaqësuesit e kombeve, mbledhur në asamblenë e përgjithshme në selinë e OKB-së në Nju Jork. Por të ecim me radhë…

         Në stilin e Papës Françesku, vizita e tij në Nju Jork filloi me lutjen në katedralen 136-vjeçare të shën Patrikut, në Fifth Avenue, e me takimin e djeshëm me të pastrehët, por dita e sotme qe një nga më të rëndësishmet e udhëtimit të dhjetë apostolik të Atit të Shenjtë. Sot, herët në mëngjes(me orën amerikane), Papa foli para asamblesë së OKB-së, mbledhur për takimin më domethënës të një pesëmbëdhjetëvjeçari veprimtarie: atë, në të cilin krerë shtetesh e qeverish, ambasadorë e përfaqësues, do të vendosin për objektivat e Kombeve të Bashkuara në pesëmbëdhjetëvjeçarin pas vitit 2015.

Papa takohet me personelin e OKB-së

         Ati i Shenjtë u prit nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon e dy fëmijë, të dy funksionarëve rënë gjatë shërbimit, i dhuruan lulet e mirëseardhjes. Fillimisht, Françesku i foli personelit të OKB-së e, edhe ai, nga ana e tij, vendosi lule në pllakën përkujtimore të funksionarëve të rënë në shërbim, të cilët i kujtoi edhe në fjalën para asamblesë, duke përmendur njërin prej tyre, Dag Hammarskjold. Duke i falenderuar për punën, shpesh të padukshme e të heshtur, Ati i Shenjtë u tha punonjësve se kontribuojnë në përmirësimin e OKB-së dhe u kërkoi:

         “…qëndrojini afër njëri-tjetrit, respektojeni njëri-tjetrin, që të mishëroni në vetvete idealet e kësaj Organizate të familjes njerëzore të bashkuar, që jeton në harmoni, që vepron jo vetëm ‘për’ paqen, por edhe ‘në’ paqe; që punon jo vetëm ‘për drejtësinë’, por edhe me ‘frymën’ e drejtësisë”.

Ati i Shenjtë vlerësn punën e OKB-së

         Pas takimeve private me autoritetet e OKB-së, Papa Françesku u foli përfaqësuesve të kombeve, duke kujtuar që në fillim vizitat e paraardhësve të tij, që nga Pali VI, tek Gjon Pali II e tek Benedikti XVI. Ati i Shenjtë, në herën e pestë të një pape në OKB, shprehu mirënjohjen për përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë përgjigje juridike e politike gjendjeve të ndërlikuara në botë. Papa vuri në dukje se në çastin aktual, teknologjitë i shkurtojnë distancat, por mund të shkaktojnë edhe tmerre, nëse përfundojnë në duart e ideologjive nacionaliste, të cilat e mbajnë veten universale, por nuk janë të tilla. Edhe Kisha Katolike i njeh pikërisht OKB-së rëndësinë historike dhe punën e kryer në 70 vjetët e jetës së saj, sidomos në fushën e së drejtës ndërkombëtare, në normativat për të drejtat e njeriut, në përsosjen e së drejtës humanitare dhe të të drejtave të tjera, që favorizojnë paqen dhe pajtimin:

         “Është e sigurtë që, pavarësisht se problemet e rënda të pazgjidhura akoma janë të shumta, nëse do të kishte munguar gjithë kjo veprimtari ndërkombëtare, njerëzimi nuk do të kishte mbijetuar nga përdorimi i pakontrolluar i vetë mundësive e i potencialitetit të vet”.

Organizmat financiare ndërkombëtare të vigjëlojnë mbi zhvillimin

         Përvoja 70-vjeçare, nënvizoi më tej Papa, tregon rëndësinë e përshtatjes me nevojat e epokës, të kërkimit të barazisë ndërmjet vendeve, të fuqizimit efektiv të institucioneve si Këshilli i Sigurimit apo organizmat e tjera financiare, që duhet të përballojnë krizën ekonomike, sidomos në vendet në zhvillim:

         “Organizmat financiare ndërkombëtare duhet të vigjëlojnë mbi zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve, për të shmangur nënshtrimin mbytës të këtyre vendeve ndaj sistemeve të kredive, të cilat, larg nga promovimi i progresit, i nënshtrojnë popullsitë me mjetet e varfërisë më të madhe, përjashtimit e varësisë”.

Gjithësia vjen nga një vendim dashurie i Krijuesit

         Papa foli për frymën e drejtësisë, kusht i domosdoshëm në realizimin e vëllazërimit universal; vuri në dukje se në panoramikën botërore vërehen shumë të drejta të rreme, të cilat ndihmojnë pushtete të caktuara dhe shkaktojnë shkatërrimin e ambientit, duke rritur numrin e të përjashtuarve nga shoqëria. Ati i Shenjtë ngriti zërin me forcë për të pohuar se ambienti është ngushtësisht i lidhur me nivelin e përjashtimit të njerëzve nga shoqëria, duke kërkuar “të drejtën për ambientin”:

         “Ne të krishterët, së bashku me fetë e tjera monoteiste, besojmë se gjithësia vjen nga një vendim dashurie i Krijuesit, i cili i jep mundësinë njeriut ta përdorë atë me respekt për krijimin, për të mirën e vëllezërve të vet dhe për lavdinë e Krijuesit, por pa e shpërdoruar e pa u ndjerë i autorizuar ta shkatërrojë”.

Vullnet e hapa konkrete në drejtim të përmirësimit të ambientit

         Abuzimi me ambientin lidhet drejtpërdrejt me procesin e përjashtimit nga shoqëria - përjashtim ekonomik e shoqëror, që i fshin me një të rënë të lapsit të drejtat e njeriut dhe vetë ambientin, duke sjellë “kulturën e hedhurinave”. Duhet bërë ç’është e mundur, bëri thirrje Ati i Shenjtë, që të parashikohen masa urgjente dhe të frytshme si në Agjendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, ashtu edhe në Konferencën e Parisit për ndryshimet e klimës. Nuk mjaftojnë kompromiset, deklaroi Papa. Kemi nevojë për vullnetin e vërtetë e për hapa konkrete në drejtim të përmirësimit të ambientit, për të vepruar kështu kundër fenomenit të përjashtimit e të mënjanimit shoqëror e ekonomik, që sjell si pasojë trafikun e njerëzve, trafikun e organeve, shfrytëzimin seksual të fëmijëve, skllavërinë e punës, prostitucionin, trafikun e drogës e të armëve, terrorizmin dhe krimin ndërkombëtar të organizuar:

         “Është kaq e madhe rëndësia e këtyre situatave dhe numri i viktimave të pafajshme të përfshira në to, saqë duhet të shmangim çdo lloj tundimi për të rënë në një nominalizëm deklamues, me efekte anestetizuese për ndërgjegjet”.

E drejta për arësimim, bazë e Agjendës 2030

         Kemi nevojë për mjete teknike konkrete, pranoi Papa Françesku, por kjo sjell me vete dy rreziqe: të kthehemi në burokratë, që hartojnë lista me qëllime të mira, ose të besojmë se zgjidhjet teknike janë përgjigjja për të gjitha problemet. Ati i Shenjtë kërkoi ndërhyrje të kujdesshme, udhëhequr nga fryma e drejtësisë, duke pasur parasysh se pas planeve në letër ka njerëz konkretë e jo numra. Zhvillimi gjithanshëm nuk mund t’u imponohet njerëzve. Ata duhet të jenë protagonistët e fatit të tyre:

         “Kjo kërkon të drejtën për arsimim – përfshirë edhe vajzat e vogla, të përjashtuara në disa vende – që sigurohet së pari, duke respektuar e duke forcuar të drejtën parësore të familjeve për të edukuar dhe të drejtën e Kishave e të organizatave të tjera shoqërore t’i mbështesin e të bashkëpunojnë me familjet në edukimin e bijve e të bijave të tyre. I kuptuar kështu, edukimi është baza për realizimin e Agjendës 2030 e për përtëritjen e ambientit”.

Njohja e një ligji moral të shkruar në vetë natyrën njerëzore

         Qeveritarët, sipas Atit të Shenjtë, duhet të bëjnë ç’është e mundur që familja të ketë një jetë dinjitoze. Minimuni absolut në nivelin material ka tri emra, theksoi Papa: shtëpia, puna e toka; ndërsa në nivelin shpirtëror, lirinë e shpirtit, në të cilën përfshihet liria fetare, e drejta për arsim e të drejtat e tjera qytetare. Françesku vijoi të përvijojë Agjendën e tij për vitin 2030, duke nënvizuar se të gjitha këto shtylla të rëndësishme për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut e kanë themelin në të drejtën për jetën, që, në një kuptim më të gjerë, Papa e quajti “të drejtë për ekzistencën e vetë natyrës njerëzore”.

         Jemi në rrezik, vuri në pah Ati i Shenjtë, nga kriza ekologjike dhe nga shkatërrimi i një pjese të biodiversitetit, nga pasojat e qeverisjes së keqe të botës, udhëhequr vetëm nga ambicia, paraja dhe etja për pushtet. Kjo ndodh, ngaqë njeriu nuk e njeh më Zotin e jeton sikur Hyji të mos ekzistonte:

         “Mbrojtja e ambientit dhe lufta kundër përjashtimit kërkojnë njohjen e një ligji moral të shkruar në vetë natyrën njerëzore, që përfshin dallimin e natyrshëm ndërmjet burrit e gruas dhe respektin absolut për jetën, në të gjitha fazat e përmasat”.

Të zbatohet Karta e OKB-së

         Siç thuhet edhe në Kartën e OKB-së, nëse nuk i vemë vetes kufizime etike, nuk do të jemi në gjendje të promovojmë zhvillimin shoqëror dhe liritë, sot, të kërcënuara nga korrupsioni e nga kolonizimi ideologjik, që imponon stile jetese krejtësisht të papërgjegjshme, në kundërshtim me identitetin e popujve. Duhet të kemi kujdes, nënvizoi Papa Françesku, të shmangim luftrat ndërmjet popujve e kombeve e të mos e shkatërrojmë ambientin, përmes luftës. E duke kujtuar 70-vjetorin e OKB-së, Ati i Shenjtë vuri në dukje se të gjitha këto qëllime të mira janë të shkruara në Kartën e saj, mjafton të zbatohen:

         “Nëse respektohet dhe zbatohet Karta e Kombeve të Bashkuara me transparencë dhe sinqeritet, pa synime të dyta, nëse konsiderohet pikë referimi e detyrueshme për drejtësinë e jo mjet për të maskuar qëllime të dyshimta, arrihen rezultate paqeje. Kur, në të kundërtën, norma ngatërrohet me një mjet të thjeshtë për t’u përdorur kur na duhet e për t’u lënë mënjanë herë të tjera, hapet një vazo e vërtetë e Pandorës me forca të pakontrollueshme, që dëmtojnë rëndë popullsi të pafajshme, ambientin kulturor e, edhe ambientin biologjik”.

Gjendja e të krishterëve dhe e pakicave etnike

         Hyrja e neni i parë i Kartës së OKB-së, nguli këmbë Papa Françesku, kërkojnë një strukturë juridike, që promovon paqen. E kundërta e kësaj është realiteti i tregut të armëve dhe të armëve bërthamore. Ati i Shenjtë përmendi me kënaqësi marrëveshjet e fundit bërthamore në Azi e në Lindjen e Mesme, që shkojnë në drejtimin e një bote pa konflikte. Më pas, u ndal në gjendjen e të krishterëve dhe të pakicave etnike në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në vende të tjera afrikane, duke kujtuar dhunën e urrejtjen, shkatërrimin e vendeve të kultit, të trashëgimisë kulturore e fetare e të shtëpive, duke kujtuar jetën e vënë në rrezik, që krijon nevojën për të zgjedhur ndërmjet jetës në skllavëri, ose emigracionit. E jehoi fuqishëm thirrja e Papës për përgjegjësi, ashtu siç pati kërkuar edhe më 9 gusht 2014, në letrën për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së:

         “Jo vetëm në rastet e persekutimit fetar apo kulturor, por në çdo gjendje konflikti, si në Ukrainë, në Siri, në Irak, në Libi, në Sudanin e Jugut e në rajonin e Liqeneve të Mëdha, para interesave të veçanta, edhe kur janë të ligjshme, qëndrojnë fytyra konkrete. Në luftra e në konflikte ka njerëz, vëllezër e motra, burra e gra, të rinj e të moshuar, fëmijë, që derdhin lot, që vuajnë e vdesin. Njerëz, që bëhen hedhurina, ndërsa s’bëhet tjetër, veçse numërohen problemet, strategjitë e diskutimet”.

         Ati i Shenjtë foli edhe për fenomenin e trafikut të drogës, që mbulohet me heshtje nga politika, por që sjell vdekjen e miliona njerëzve. Për dinamikën e tij, ky trafik lidhet me atë të njerëzve, me trafikun e armëve, me shfrytëzimin e të miturve e me format e ndryshme të korrupsionit, që hyn thellë në përmasat e ndryshme të jetës shoqërore, politike, artistike, ushtarake, fetare, duke krijuar struktura paralele e duke shkatërruar besueshmërinë e institucioneve.

Rreziku i vërtetë vjen nga vetë njeriu

         Së fundi, Papa Françesku kujtoi fjalët e paraardhësve të tij në Kombet e Bashkuara, sidomos të Palit VI, i cili thoshte se rreziku i vërtetë vjen nga vetë njeriu, që mund t’i përdorë mjetet gjithnjë e më të fuqishme në dispozicion, për zhvillimin ose për shkatërrimin e botës:

         “Shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve duhet të vazhdojë të ndërtohet mbi kuptimin e drejtë të vëllazërimit universal e mbi respektin për shenjtërinë e çdo jete njerëzore, të çdo burri e të çdo gruaje, të të varfërve, të të moshuarve, të të palindurve akoma, të të sëmurëve, të të papunëve, të të braktisurve, të atyre që gjykohen si hedhurina, sepse konsiderohen vetëm numra të kësaj apo asaj statistike e asgjë më shumë. Shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve duhet të ndërtohet edhe mbi kuptimin e një farë shenjtërie të natyrës së krijuar”.

Të vihen mënjanë interesat sektoriale, për të mirën e përbashkët

         Ashtu siç thoshte Papa Pali VI, nënvizoi Françesku, qytetërimi duhet bazuar mbi parime shpirtërore, të cilat jo vetëm janë të afta ta mbajnë, por edhe ta shndrisin e t’i japin jetë. Nuk është kështu sot, denoncoi Ati i Shenjtë. Bota bashkohore duket mëse e lidhur dhe e bashkuar, por vijon pa ndërprerje fragmentimin e saj shoqëror, i cili e vë në rrezik shoqërinë, pasi e ekspozon ndaj interesave të veçanta, duke i nxitur njerëzit njëri kundër tjetrit. E duke siguruar ndihmën dhe mbështetjen e Kishës Katolike, thirrja e fundit e Papës Françesku për përfaqësuesit e kombeve:

         “Koha e sotme na fton të privilegjojmë veprime, që mund të lindin dinamizma të reja në shoqëri e mund të sjellin fryte në ngjarje historike të rëndësishme e pozitive. Nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i shtyjmë për më vonë ‘disa agjenda’. E ardhmja na kërkon vendime kritike e globale para konflikteve botërore, që shtojnë numrin e të përjashtuarve e të nevojtarëve… Do t’i marrim këto vendime, nëse përfaqësuesit e shteteve do të dinë të vënë mënjanë interesat sektoriale dhe ideologjitë, për t’u përpjekur sinqerisht t’i shërbejnë së mirës së përbashkët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.