Papa Françesku në selinë e OKB-së, në Nju Jork, takoi personelin e kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara, të cilëve u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt. Ja fjala e Papës drejtuar personelit
Miq të dashur,
Me rastin e vizitës së sime në Kombe të Bashkuara, ju përshëndes me shumë gëzim, të
gjithë ju burra e gra që jeni në shumë mënyra shtylla e kësaj Organizate. Ju falënderoj
për pritjen tuaj e ju jam mirënjohës për tërë atë që keni bërë për përgatitjen e vizitës
sime. Dua më tej të ju kërkoj t’ia transmetoni përshëndetjet e mia anëtarëve të familjeve
tuaja e kolegëve që nuk kanë pasur mundësi të jenë sot me ne.
Pjesa më e madhe e punës së bërë këtu nuk është e natyrës që bënë lajm. Impenjimi
juaj i përditshëm, në prapaskenë, i bënë të mundshme shumë nisma diplomatike, kulturore,
ekonomike e politike të Kombeve të Bashkuara, që janë aq të rëndësishme për t’i mbështetur
shpresat dhe aspiratat e popujve që e përbëjnë familjen njerëzore. Jeni ekspertë e
operatorë në terren, funksionarë e sekretarë, përkthyes e interpretues, punëtor pastrimi
e kuzhinierë, personel i mirëmbajtjes dhe i sigurisë. Ju faleminderit për gjithë atë
që bëni!
Punua juaj e heshtur dhe besnike kontribuon jo vetëm në përmirësimin e Kombeve të
Bashkuara, por ka edhe një domethënie të madhe për ju personalisht, sepse mënyra me
të cilën punojmë e shpreh dinjitetin tonë e atë se çfarë njerëzish jemi.
Shumë prej jush kanë ardhur në këtë qytet prej Vendeve nga mbarë bota. E si të tillë
jeni një mikrokozmos i popujve që kjo Organizatë përfaqëson e mundohet t’u shërbejë.
Si shumë njerëz në mbarë botën, edhe ju jeni të shqetësuar për mirëqenien dhe për
edukimin e bijve tuaj. E keni përzemër të ardhmen e planetit, e llojin e botës që
do t’ia lëmë breznive të ardhshme. Mirëpo sot, e çdo ditë, dua t’i kërkoj çdonjërit
prej jush, sipas aftësisë që çdonjëri ka: kujdesuni njëri për tjetrin, jini afër njëri
tjetrit, respektoni njëri tjetrin, në mënyrë që ta mishëroni në vetveten tuaj idealin
e kësaj Organizate, atë të një familje njerëzore të bashkuar, që jeton në harmoni,
që vepron jo vetëm për paqen por në paqe; që reagon jo vetëm për drejtësinë, por në
shpirtin e drejtësisë.
Të dashur miq, ju bekoj të gjithëve e çdonjërin me gjithë zemër. Do të lutëm për ju
e për familjet tuaja, e ju kërkoj që çdonjëri prej të kujtohet për mua në lutjen personale.
E nëse ndokush prej jush nuk është besimtar, i kërkoi të më uroj të mirën. Zoti ju
bekoftë të gjithëve.
Faleminderit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |