2015-09-25 18:24:00

Lutja e Papës në Ground Zero: fetë të jenë forca paqeje e pajtimi.


Dita e sotme e shtegtimit apostolik të Papa Françeskut në SHBA, pati një nga ngjarjet më emocionuese e domethënëse, lutjen në Ground Zero për paqen. I shoqëruar nga kardinali Dolan, Ati i Shenjtë Jorge Bergoglio arriti në Ground Zero, në orën 11. 30 me orën vendase, 17. 30 me atë evropiane. Papa Françesku u ndal në atë vend, ku dikur lartoheshin dy rrokaqiejt binjakë “Twin Towers”. Këtu, në ceremoninë e memorialit, ishin të pranishëm familjarët e viktimave të atentatit terrorist të 11 shtatorit, autoritetet e vendit e përfaqësues të feve të ndryshme.
Gjëja e parë që të bie në sy edhe sot në këtë vend kaq tragjik ku, si në një film tmerresh, humbën jetën tri mijë vetë, është një kryq 7 metra i lartë: dy copa trarësh prej çeliku, të nxjerra prej gërmadhash nga një punëtor, një ditë pas tragjedisë, e të kryqëzuara për t’i siguruar njerëzit e pushtuar nga tmerri, se Hyji nuk i kishte braktisur. Sipas shumë njujorkezëve, vizita e Papës në këtë vend simbol, ka të njëjtin kuptim: E këtë kuptim e ka edhe lutja për paqen në botë që u lartua nën Kryqin e besimit e të shpresës, në një vend ku më 11 shtatorin e vitit 2001 ndokush pati bërë pyetjen tepër të vështirë “Ku ishte Zoti?”.

Lutja
O Hyj i dashurisë, i mëshirës e i pajtimit,
drejtoi sytë e Tu mbi ne, popull i feve e i traditave të ndryshme, mbledhur sot në këtë log, skenë e dhunës dhe e dhimbjes së pabesueshme.
Të lutemi që, me mirësinë Tënde,
t’u japësh pushimin e pasosur e dritën e pambaruar
të gjithë atyre që vdiqën në këtë vend;
të parëve, që vrapuan të japin ndihmën e tyre:
zjarrfikësve, policëve, punonjësve të ndihmës së shpejtë e personelit të Kapitenerisë së Portit, së bashku me të gjithë burrat e gratë e pafajshme, viktima të kësaj tragjedie vetëm sepse puna e tyre e shërbimi i tyre i thirri këtu më 11 shtator 2001.
Të lutemi, me mëshirën tënde,
t’i shërosh ata
që sot, për shkak të pranisë së tyre këtu
i ndjejnë fort dhimbjet e plagëve e të sëmundjeve .
Shëroi, o Zot, edhe familjet, që vuajnë e qajnë ende,
e të gjithë ata që humbën të dashurit në këtë tragjedi.
Jepu forcën ta vijojnë rrugën e jetës
me guxim e shpresë.

Kujtojmë edhe ata që vdiqën,
u plagosën
e të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur
në të njëjtën ditë, në Pentagon e në Shanksvil, në Pensilvani.
Zemrat tona bëhen një me zemrat e tyre,
Rrahin njëherësh me to.
Lutja jonë përfshin gjithë dhimbjen e tyre.

O Zot i paqes, jepi paqen tënde kësaj bote plot dhunë -
Paqe në zemrat e të gjithë burrave e grave,
e paqe ndërmjet Kombeve të tokës!
Bëj t’i kthejnë hapat në udhën tënde të dashurisë,
ata që i kanë mend e zemër
të prishura nga urrejtja.
O Hyj i mirëkuptimit:
të dërrmuar nga përmasa e përbindshme e kësaj tragjedie,
kërkojmë dritën tënde e udhëheqjen Tënde,
ndërsa jemi para një ngjarjeje kaq të llahtarshme.
Të lutemi që njerëzit, jetët e të cilëve u kursyen,
të jetojnë në një mënyrë të tillë,
që të mos e bëjnë të kotë
flijimin e atyre që këtu e humbën jetën.
Ndihmona e ngushëllona,
përforcona në shpresë
e na jep urti e guxim
të punojmë pa u lodhur kurrë për një botë
ku mbretëron paqja e dashuria e vërtetë ndërmjet Kombeve e në zemrat e të gjithëve!
Në përfundim të lutjes e të ceremonisë përkujtimore, me ftesën e kardinali të Nju Jorkut Dolan, të gjithë shkëmbyen shenjën e paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.