2015-09-24 15:07:00

Papa takohet me të pastrehët në famullinë e shën Patrikut


 Pas takimit me politikanët amerikanë në Kongresin e mbledhur enkas për të dëgjuar Papën Françesku, Ati i Shenjtë shkoi në qendrën bamirëse të kishës së Shën Patrikut, famullia e parë e Uashingtonit, themeluar në vitin 1744 për t’u shërbyer punëtorëve irlandezë, që po ndërtonin Shtëpinë e Bardhë dhe Kapitolin, ku do të vendosej qeveria amerikane, pas largimit nga Filadelfia për në kryeqytetin e ri. Këtu, Papa takoi rreth 200 të pastrehë.

         Ati i Shenjtë u kujtoi shën Jozefin e mënyrën e reagimit të tij ndaj vështirësive, kur nuk kishte as shtëpi për t’u strehuar me Birin e sapolindur të Zotit. Ungjilli është mëse i qartë: nuk kishte vend për ta. “E imagjinoj Jozefin – tha Papa – me nusen që do të lindte pas pak, pa një çati mbi krye, pa shtëpi, pa strehim. Vështirësitë e Jozefit janë të pranishme në jetën e shumë njerëzve sot. Ka pyetje, që shumë vetë mund t’i bëjnë përditë: ‘Pse jemi pa një çati mbi krye, pa shtëpi?’ Janë pyetje, që është mirë t’i bëjmë të gjithë: pse këta vëllezërit tanë janë pa shtëpi? Jozefi ishte njeri i fesë dhe feja ia shndriti mendjen edhe në çastet më të errta. Falë fesë, Jozefi diti të ecë përpara, kur gjithçka dukej sikur ndalej”.

         Nuk ka justifikim shoqëror e moral për mungesën e shtëpive për njerëzit, theksoi më tej Ati i Shenjtë. Por feja na thotë se Zoti na shoqëron në vuajtje, na qëndron pranë. Jo vetëm na kërkon të jemi solidarë me nevojtarët, por na ndihmon, na shoqëron, na ofron dashurinë e Tij. Është aty me ne, na troket në derë e na fton të bëjmë mirë. Ai vetë u identifikua me ata që vuajnë, që vajtojnë, që provojnë çdo lloj padrejtësie, duke na lënë fjalët: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha i huaj e më përbujtët”.

         Feja, shpjegoi Papa, na bën të kuptojmë praninë e heshtur të Zotit në secilin prej nesh e kjo prani na shtyn drejt bamirësisë, e cila lind nga thirrja e një Zoti që nuk resht së trokitur në portën tonë, në portën e të gjithëve për të na ftuar të jemi të dashur, të mëshirshëm, t’ia dhurojmë veten njëri-tjetrit.

         Një nga mënyrat më të frytshme për të hyrë në kontakt me Jezusin, për ta ndjerë praninë e Tij, nënvizoi së fundi Françesku, është lutja: aty takohemi me Zotin Atë, aty takohemi si vëllezër, në lutje gjejmë forcën për t’u rezistuar padrejtësive, në lutje zbulojmë nevojat e të tjerëve dhe domosdoshmërinë për ta ndihmuar njëri-tjetrin, gjëjmë gëzimin e takimit me Jezusin.

         E si gjithnjë, edhe takimi i vetë Papës me të pastrehët, qe shtrëngim duarsh, përqafim, shkëmbime fjalësh të mira e të ngrohta, që ata 200 vetë do t’i kujtojnë gjatë. Në fund, Ati i Shenjtë bekoi një kapelë në katin e parë të qendrës, akti i tij i fundit në Uashington, nga ku, po sot, niset për në Nju Jork, ku mbërrin rreth orës 23, me atë evropiane.








All the contents on this site are copyrighted ©.