2015-09-24 18:45:00

Papa në Kongresin amerikan: fjalim i ndërprerë nga 36 duartrokitje


Fjalimi historik, për herë të parë i një Pape në Capitol Hill, seli e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u ndërpre nga 36 duartrokitje të senatorëve e parlamentarëve të mbledhur për ta dëgjuar fjalimin e Atit të Shenjtë Françesku. Në shumë raste përfaqësuesit e Kongresit amerikan u ngritën në këmbë për të duartrokitur fragmentet e fjalimit që kanë vlerësuar më së shumti.
“Jam mirënjohës për ftesën tuaj për folur për para Kongresit të tokës së lirisë e të shtëpisë së guximit”: kështu, duke cituar një fragment të himnin kombëtar amerikan, Papa Françesku e nisi fjalimin e tij në Capitol Hill.
Një duartrokitje e gjatë e priti Papën kur hyri në Kongres e po kështu edhe kur u largua.  U duartrokitën edhe ato pjesë të forta të fjalimit si fragmenti kundër dënimit me vdekje e tregtisë së armëve.
E vërtetë, në fjalimin e sotëm historik para Parlamentit amerikan në Uashington, Papa Françeskut foli me qartësi për realitetin e botës së sotme të munduar nga konfliktet e fundamentalizmat, foli për rivendosjen e paqes, për lirinë fetare, për mbrojtjen e jetës në “çdo fazë të zhvillimit të saj”, për heqjen e dënimit me vdekje. Duhet bërë më shumë për ta luftuar varfërinë dhe ndalur tregtinë e armëve. Nuk duhet të frikësohemi nga numri i emigrantëve, por ti vështrojmë fytyrat e tyre. Është e domosdoshme ndihma e familjeve “të kërcënuara, si ndoshta kurrë më parë”.
“Në kohën e krizës e të vështirësive ekonomike, nuk duhet ta humbasin shpirtin e solidaritetit global”, por “të luftojmë kundër varfërisë e urisë”. Këtë i porositi Papa Kongresit amerikan e jo vetëm, duke kujtuar “Normën e Artë”: “Bëni tjetrit atë që ti do që tjetri ta bëjë ty”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.