Shërbëtorja e Zotit Marie Tuci, martire e Krishtit dhe Kombit në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, në përvjetorin e vdekjes.
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 24 shtator, përkujtojmë 62-vjetorin
e martizimit të shërbëtores së Zotit, Marie Tucit. Kjo dëshmitare e fesë së krishterë,
e shpirtit fisnik shqiptar dhe e kulturës, siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi
i postullantes së Motrave Stigmatine, vdiq më 24 shtator të vitit 1950 në Shkodër,.
Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë,
shndriti ndërgjegjet e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë
për kulturën e jetës e të vëllazërimit. Kujtojmë se Marie Tuci, mirditore, është e
vetmja femër që gjendet deri më tani, në listën e 40 martirëve shqiptarë, për të cilët,
procesi dioqezan i kanonizimit për lumturimin e tyre, në nivelin e Kishës katolike
shqiptare, ka përfunduar e tashmë ka kaluar në shqyrtim pranë Kongregatës së Vatikanit
për Çështjen e Shenjtorëve.
Shërbëtorja e Zotit, Marie Tuci së bashku me të vëllain e shumë të tjerë, u arrestuan
nga komunistët pas vrasjes se Bardhok Bibes. Vuajtjet më të mëdha për Marinë do të
vinin nga shefi i sigurimit të Shkodrës të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili i goditur
nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzoje me të, po ndeshi në kundërshtimin e ashpër
të Maries.
Lirinë do ta fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur edhe fundi i saj tokësor
për shkak të torturave çnjerëzore. Atëherë kur nuk munden ta mposhtnin dot në dinjitetin,
në fisnikërinë dhe në idealet e saj, komunistët e futen në një thes bashke me një
mace duke e goditur vazhdimisht. Kur e nxirren prej andej, Maria nuk njihej. Një dëshmitar
i martirizimit e kishte krahasuar me një larvë njerëzore. E dërgojnë në spitalin e
Shkodrës ku dhe ndahet nga jeta me 24 shtator të vitit 1950.
Maria Tuci, vajza mirditore, u shndërrua në simbolin e emancipimit e të dinjitetit
njerëzor e femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial komunist që e burgosi
dhe e çoi në rrugën pa kthim të vdekjes. 62 vjet më vonë Maria Tuci përkujtohet në
Shkodër dhe Mirditë si një grua me dinjitet të lartë e të pathyeshëm, që nuk iu dorëzua
epsheve të funksionarëve të sigurimit të regjimit të kohës, ndonëse ishte e mbyllur
në qelitë e errëta të komunizmit. Bukuria e saj vriste sytë e gardianëve dhe njerëzve
të pushtetshëm, dinjiteti i saj nxiste dhunën brenda tyre, po Maria Tuci nuk u përkul
në asnjë moment duke i treguar atyre se përtej një gruaja të re dhe të bukur, qëndronte
një grua shqiptare plot dinjitet e bindur në idealet e veta të larta, të shenjta e
të përjetshme.
Ajo e Marie Tucit qe një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po
një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje
të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar.
Ajo donte të behej murgeshë, t'i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet
të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër
të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës.
Ishte koha e përndjekjes dhe orvatjet së shfarosjes së katolikëve shqiptarë, që përbenin
një rrezik të vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte
koha e tmerrshme e kohës së diktaturës ateiste të komunizmit që e lau tokën shqiptare
me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku i tyre, si ai i Marie Tucit, u
shndërruan në farën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të fitores së dashurisë
mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën.
All the contents on this site are copyrighted ©. |