2015-09-23 12:13:00

Papa në avion: shpresoj në marrëveshje për embargon kubane


Gjatë udhëtimit me avion nga Kuba për në SHBA-të, Papa Françesku bisedoi me gazetarët, që e shoqërojnë. Tri ditët në ishullin karaibik, me të gjitha problemet shoqërore, politike e fetare, qenë në qendër të pyetjeve, të cilave Ati i Shenjtë iu përgjigj duke pasur parasysh përmirësimin e marrëdhënieve të Havanës me Uashingtonin.

“Jam i kënaqur që vizitova Kubën”.

Papa Françesku shpjegoi arsyet, që e çuan në ishull. Njoftimi për shkrirjen e akullit ndërmjet Kubës e SHBA-ve, më 17 dhjetor, ndikoi fuqimisht në marrjen e vendimit për ta vizituar. Pra, udhëtimi i Atit të Shenjtë – si të thuash – i vuri vulën rifillimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, pas 50 vjet tensionesh e sanksionesh. E përsa i përket fundit të embargos amerikane, Françesku uroi:

“Shpresoj të arrihet në një marrëveshje, që t’i kënaqë palët. Përsa i përket qëndrimit të Selisë së Shenjtë për embargot, Papët e mëparshëm kanë folur qartë, jo vetëm për këtë rast. Flet doktrina shoqërore e Kishës. Në Kongresin amerikan nuk do të flas për këtë temë në mënyrë të veçantë, por do të përmend marrëveshjet në përgjithësi si shenjë e përparimit në fushën e bashkëjetesës”.

Më pas, problemi i disidencës kubane, në mërgim e në burg, temë për të cilën Papa foli edhe gjatë homelive, kur përmendi nevojën e bashkëjetesës paqësore të të gjithë kubanëve në atdheun e tyre. Kisha e Kubës, njoftoi Ati i Shenjtë, ka përgatitur një listë të burgosurish për të cilët do të kërkohet falja. Ndërkaq, janë falur 3 mijë vetë e po studiohen raste të tjera. Kjo, nënvizoi, është shenjë e dukshme e impenjimit të Kishës për vendosjen e ruajtjen e paqes shoqërore:

“E Kisha në Kubë po punon për faljen. Për shembull, ndokush më tha: ‘Do të ishte mirë ta hiqnim dënimin me burgim të përjetshëm’. Për të folur qartë: burgimi i përjetshëm është një lloj dënimi me vdekje i fshehur. Ti je aty, duke vdekur përditë, pa shpresën e lirimit”.

Temë tjetër e dialogut me gazetarët qe takimi me Fidel Kastron dhe vuajtjet e Kishës në Kubë gjatë regjimit kastrist, i cili është lehtësuar disi, por akoma është në fuqi. Ati i Shenjtë, duke mos u dhënë hollësi gazetarëve, shpjegoi se pendesa është diçka intime, ka të bëjë me ndërgjegjen. Me Fidel Kastron, tregoi Papa, foli për Enciklikën “Lëvduar qofsh”, pasi lideri kuban është thellësisht i shqetësuar për ambientin. E pastaj, edhe për jezuitët, ku ka studiuar lideri maximus.

Së fundi, pyetja mbi qëndrimin e Papës e të Kishës përsa i përket çështjeve shoqërore, kapitalizmit e komunizmit. Ati i Shenjtë kujtoi se dikush e pati pyetur nëse do ta ndiqte Kisha në reformat, që do të propozonte si Papë. “Jam unë, që ndjek Kishën”, u përgjigj Françesku:

“Doktrina ime për këtë, enciklika ‘Lëvduar qofsh’ dhe qëndrimi ndaj imperializmit ekonomik, e ka bazën në mësimet shoqërore të Kishës. E nëse është e nevojshme të them Besojmën, jam gati…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.