2015-09-23 19:42:00

Papa, ipeshkvijve amerikanë: jini shërbëtorë e afër njerëzve, të përvujtë e të bashkuar


Takimi i dytë i Papës Françesku në Uashington: ai me ipeshkvijtë amerikanë në katedralen e shën Mateut apostull. Të shumta, temat për të cilat Ati i Shenjtë u foli sivëllezërve të vet, por që në fillim deshi të urojë hebrenjtë për festën e Yom Kippurit, festa e shpërblimit të mëkateve, në fund të dhjetë ditëve të pendesës. Por edhe ipeshkvijve u foli si Ipeshkvi i Romës, “i thirrur në moshë të shtyrë nga Zoti nga një tokë, edhe ajo amerikane”, për të ruajtur unitetin e Kishës Universale e për të inkurajuar çdo Kishë lokale. U bëri menjëherë të qartë se nuk ka ndërmend t’i qortojë apo t’u japë direktiva, sepse e njeh mirë luftën që kanë bërë për të dalë nga çastet e errta të viteve të fundit, por të ulet me ta si vëllai me vëllanë. E theksoi se u qëndron pranë:

 “Kur një dorë shtrihet për të bërë mirë, ose për t’i çuar vëllait dashurinë e Krishtit, për të fshirë një lot apo për ta shoqëruar në vetmi, për t’i treguar rrugën atij, që e ka humbur, apo për ta ngushëlluar një zemër të thyer, për t’u përkulur para dikujt, që është rrezuar apo për t’i mësuar  të vërtetën atij që ka etje për të, për të ofruar faljen apo për të udhëhequr drejt një fillimi të ri në Zotin… ta dini se Papa ju shoqëron dhe ju përkrah, mbështet edhe ai mbi tuajën dorën e vet, tashmë të plakur e plot rudha, por, me Hirin e Tënzot, akoma të aftë për të mbështetur e inkurajuar”.

E kështu, pa dashur të kritikojë e pa sulmuar askënd, Ati i Shenjtë Bergoljo shkëmbeu disa mendime me ipeshkvijtë amerikanë për detyrën e tyre e për mënyrën e ushtrimit të saj para sfidave aktuale, duke u kujtuar gjithnjë burimin e “pushtetit” të tyre:

“Gëzimi ynë më i madh është të jemi Barinj, asgjë tjetër, përveçse barinj, me zemër të pandarë e me vetëmohim të pakthyeshëm mbrapa. Duhet ta ruajmë këtë gëzim pa lënë të na e vjedhin… Thelbi i identitetit tonë duhet kërkuar në lutjen e fuqishme, në predikimin e në drejtimin [e grigjës]”.

Jo lutje e çfarëdoshme, këshilloi Papa sivëllezërit e vet, por bashkim familjar me Krishtin. Jo predikim i doktrinave të ndërlikuara, por i lajmit të gëzuar të Krishtit, vdekur e ngjallur për ne. Prania e Bariut të Kishës të zgjojë tek besimtarët nostalgjinë për përqafimin e Atit Qiellor. Të mos u propozojmë të tjerëve vetveten, u tha Ati i Shenjtë ipeshkvijve, por të tërhiqemi, të përulemi, të dalim nga vetveteja, për ta ushqyer me Krishtin familjen e Zotit. E kujtoni fjalët e Jezusit, theksoi Papa, “ma keni bërë mua”:

“Patjetër, ipeshkvit i duhet të zotërojë largpamësinë e liderit dhe mendjemprehtësinë e administratorit, por marrim fund me siguri kur e shkëmbejmë fuqinë e forcës me forcën e pafuqisë, përmes së cilës na shëlboi Zoti. Ipeshkvi ka nevojë ta perceptojë qartë betejën ndërmjet dritës dhe errësirës, që zhvillohet në këtë botë. Por, mjerë ne, nëse e kthejmë Kryqin në flamur për luftrat e kësaj bote, duke harruar se kusht për fitoren, që i qëndron kohës, është të lejojmë të na shporojnë e të zbrazemi nga vetveteja”.

Kultura e takimit, ndër sfidat e kohës sonë, u përmend sërish nga Papa Françesku, i cili u kujtoi ipeshjvijve se metoda e Kishës për të qëndruar në botë është dialogu, jo për ndonjë strategji kushedi sa të mënçur, por për hir të besnikërisë ndaj Zotit, i cili nuk i harron kurrë njerëzit, duke u propozuar gjithnjë ftesën e Tij të dashurisë. Të mësojmë nga Jezusi, tha Ati i Shenjtë, e të marrim përsipër barrën e tjetrit për ta kuptuar e për t’u takuar me të.

Papa u kërkoi ipeshkvijve amerikane të ruajnë e të çimentojnë unitetin ndërmjet tyre e në SHBA, që për natyrën e saj, bazohet në bashkimin ndërmjet shteteve. E u vuri përpara problemet e kombit të madh amerikan, i cili shpesh ndikon fuqishëm në fatet e botës:

“Viktimat e pafajshme të abortit, fëmijët që vdesin nga uria ose nën bomba, emigrantët, që mbyten në kërkimin e së nesërmes, të moshuarit apo të sëmurët të cilët nuk i do njeri, viktimat e terrorizmit, të luftrave, të dhunës e të trafikut të drogës, ambienti i shkatërruar nga marrëdhëniet grabitqare të njeriut me natyrën, në të gjitha këto është gjithnjë në lojë dhurata e Zotit, për të cilën jemi administratorë fisnikë, por jo pronarë. Prandaj, nuk mund të mos i marrim parasysh çështje të tilla ose të heshtim për to. Jo më pak e rëndësishme është shpallja e Ungjillit të familjes, që në Takimin Botëror të Familjeve në Filadelfia, do të kem rastin ta kumtoj me forcë së bashku me ju e me të gjithë Kishën”.

Në fund të fjalës së tij, Papa Françesku u rekomandoi dy gjëra ipeshkvijve amerikanë. I kam fort për zemër, u tha. Edhe një herë u kërkoi të jenë Barinj, që u qëndrojnë pranë njerëzve e u shërbejnë atyre, duke filluar nga meshtarët, të cilët duhen shoqëruar për të mos mbetur gjysmakë në shërbimin e tyre e as burokratë të Kishës. “Vigjëloni – tha Ati i Shenjtë – që ata të mos lodhen së ngrituri nga gjumi për t’iu përgjigjur kujt troket në derë natën, edhe kur mendojnë se kanë të drejtë të pushojnë. Stërvitini që të jenë gati për t’u ndalur, përkulur, për të lyer me balsam plagët, për të marrë përsipër e për të luftuar në favor të atij që, rastësisht, gjendet i zhveshur prej çdo gjëje”. E rekomandimi i dytë, për emigrantët, për të cilët Kisha amerikane ka bërë dhe bën shumë:

 “Tani keni këtë valë të gjatë emigracioni latin, që vjen në shumë nga dioqezat tuaja. Jo vetëm si Ipeshkëv i Romës, por edhe si Bari i ardhur nga jugu, e ndjej të nevojshme t’ju falenderoj e t’ju inkurajoj. Ndoshta nuk do të jetë e lehtë për ju të shqyrtoni shpirtin e tyre; ndoshta do të sprovoheni nga ndryshimet me ta. Megjithatë, ta dini se kanë pasuri për të ndarë me të tjerët. Prandaj, pritini pa frikë. Jepuni ngrohtësinë e dashurisë së Krishtit e do të deshifroni misterin e zemrës së tyre. Jam i sigurtë se, edhe një herë, këta njerëz do ta pasurojnë Amerikën dhe Kishën e saj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.