2015-09-22 11:59:00

Papa bekon qytetin Holguin nga Loma de la Cruz


Pas meshës në Sheshin e Revolucionit në Holguìn, Papa Françesku, në orët e para të pasdites (sipas orës kubane) shkoi në kodrinën e Kryqit (Loma de la Cruz), nga ku bekoi qytetin.

         Bregdeti i Holguin-it, të cilin Kristofor Kolombo, pasi mbërriti në ishullin e Kubës në vitin 1492, e quajti “vendi më i bukur që kanë parë sytë e njeriut”, dominohet nga kodra “Loma de la Cruz”. Në vitin 1790, një françeskan vuri mbi këtë kodër një kryq të madh druri, duke e kthyer në vend shtegtimesh të përshpirtshme. Por kjo majë është edhe turistike, pasi prej këndej admirohet një panoramë e mrekullueshme jo vetëm e qytetit, por e të gjithë ishullit të Kubës, 360 gradë. Këtu, Papa Françesku u ndal në lutje para kryqit e pastaj, bekoi qytetin:

         “Duke vështruar Kryqin Shenjt, lartuar në majë të kësaj kodre, Kryq që shndrit jetën e familjeve, të fëmijëve dhe të të rinjve, të të sëmurëve e të gjithë atyre që vuajnë – u lut Papa – lutemi që këta o Zot ta ndjejnë ngushëllimin dhe afërsinë tënde e ta dëgjojnë ftesën për të ndjekur Birin Tënd, rruga e vetme për të mbërritur tek Ti”.

         Fjalët e Papës Françesku u ndoqën nga këngët e një kori fëmijësh. Holguìn, në lindje të Kubës, është qyteti i tretë i ishullit për nga numri i banorëve, që e kalon 1 milion e gjysmën. Presidenti Raul Castro dhe vëllai i tij Fidel janë me origjinë nga kjo tokë, jo larg bazës ushtarake detare amerikane të Guantanamos.








All the contents on this site are copyrighted ©.