2015-09-22 11:07:00

Lutja e Papës për Zojën e Cobre-s: “Mblidhe popullin tënd”


Mbrëmë, Papa Françesku shkoi së bashku me ipeshkvijtë kubanë në Shenjtëroren e Virgjërës së Dashurisë së Cobre-s, rreth 30 kilometra larg nga Santiago de Cuba. Këtu ruhet imazhi i shën Marisë me Krishtin Fëmijë, që mban botën. Virgjëra e Cobre-s është shpallur Pajtore e Kubës nga Papa Benedikti XV në vitin 1916 dhe nderohet nga i gjithë populli.

         Papa Françesku qëndroi në heshtje para saj për disa minuta. Pastaj, u lut në këmbë para fugures së Zojës, së cilës i besoi të ardhmen e Kubës dhe të popullit të saj:

         “O Virgjër e Dashurisë së Cobre-s, Pajtore e Kubës… – u lut Ati i Shenjtë – erdhe të vizitosh popullin tonë e deshe të rrish me ne si Nënë e Zojë e Kubës, gjatë rrugës së tij në histori. Emri dhe imazhi yt janë skalitur në mendjet e në zemrat e gjithë kubanëve, brenda e jashtë atdheut, si shenjë shprese e qendër e bashkimit vëllazëror”.

         Papa Françesku i kërkoi shën Marisë të marrë nën krahët e veta mbrojtëse familjet, të rinjtë e fëmijët dhe të ngushëllojë të gjithë ata që vuajnë. E sidomos u lut për kombin kuban:

         “O Nënë e Pajtimit, mblidhe popullin tënd të shpërndarë nëpër botë. Bëje kombin kuban – iu drejtua Zojës Ati i Shenjtë – një shtëpi vëllezërish e motrash, që ky popull t’ia hapë mendjen, zemrën dhe jetën, Krishtit, të vetmit Shpëtimtar e Shëlbues…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.