2015-09-22 12:01:00

Kisha në Kubë është e gjallë: kështu drejtori i qendrës “Felix Varela” të Havanës


Në Kubë vërehet një entuziazëm i veçantë i besimtarëve dhe banorëve për vizitën e Papa Françeskut, i cili sot përfundon shtegtimin e tij në Ishull. Kjo atmosferë u ndje jashtëzakonisht edhe në qendrën kulturore të krishterë “Felix Varela” në Havanë. Intervistuam drejtorin e saj, atë Yosvany Cardajal Sureda:

Qendra kulturore luan një rol të rëndësishëm për Kishën kubane, përsa u përket marrëdhënieve me botën e kulturës. Kjo qendër mbledh të gjitha, ose gati të gjitha manifestimet kulturore ekzistuese, duke u përpjekur ta afrojë botën e kulturës me atë të Kishës. Këtu u japim laikëve dhe të gjithë atyre, që duan ta njohin krishterimin e Kishën, formimin e nevojshëm filozofik e teologjik, elemente të doktrinës së krishterë, që i ndihmojnë për të vepruar si duhet në shoqëri.

Çfarë vendi zë krishterimi në kulturën aktuale kubane?

Aktualisht, këtu në Kubë, nuk vërehet qartë një “kulturë” e krishterë, por në manifestimet kulturore të ishullit ka elemente të krishtera. Si për shembull, muzika kubane, që ka lindur në Kishë e më pas ka marrë drejtime tjera. Pra, nuk ekziston ndonjë kulturë krejtësisht e krishterë - të paktën, për mënyrën se si shfaqet - por ndihet se shpirti i kubanëve është shumë afër Kishës, afër krishterimit. Shumë artistë duan të jenë të pranishëm në Kishë e të krijojnë vepra me vlera të krishtera, në muzikën kishtare, në teatër, në letërsi etj.

Çfarë roli ka famullia kishtare në këtë projekt kulturor?

Gati të gjitha famullitë, sidomos në Havanë, janë qendra të dialogut pozitiv me kulturën dhe me shoqërinë. Për shembull, në famulli kishtare mund të organizohen takime intelektualësh, që mblidhen për të lexuar një dokument, për të debatuar, për të recituar poezi, ose për të dhënë shfaqje teatrale; në famulli kishtare jepen edhe koncerte, ku marrin pjesë shumë muzikantë; pastaj, kemi aspektin formues, sepse në famulli zhvillohen shumë kurse për formimin kulturor e fetar të njerëzve. Janë manifestime, që e afrojnë Kishën me botën e kulturës, të mendimit, të artit.

Cili është vendi që zë supersticioni (besëtytnia) në kulturën popullore fetare kubane?

Populli kuban ka qenë gjithnjë supersticioz. Një nga mendimtarët e mëdhenj kubanë, atë Felix Varela, për të cilin po vazhdon çështja e lumnimit, në “Letrën drejtuar Elpidit” – një personazhi abstrakt, që pasqyron realitetin kuban të kohës së vet – thoshte se njëra nga tri të këqijat, që vërente në epokën e vet, ishte pikërisht supersticioni. Fanatizmi, pastaj, dhe e treta, mungesa e fesë, mungesa e Zotit. Tri të këqija, akoma të pranishme në kulturën e shoqërinë tonë. Sot, pas një boshllëku në formimin fetar - feja e krishterë nuk dilte nga Kisha se ishte e ndaluar nga regjimi - supersticioni ka zënë vend kryesisht në fetë primitive, natyraliste, si “santeria”, lindur në Kubë nga takimi ndërmjet traditës afrikane, sjellë nga zezakët e transportuar me forcë në ishull për të punuar si skllevër, dhe katolicizimit. Shkrirja e këtyre dy traditave ka sjellë si rezultat “santerinë”, shprehje e supersticionit dhe e primitivizmit. Nuk është fe, që e zhvillon njeriun nga pikëpamja etike e as e nxit të impenjohet në shoqëri. Ndërsa, të jesh i krishterë, të jesh i krishterë, do të thotë të shkosh në Kishë, por edhe të impenjohesh në shoqëri me vlerat e Ungjillit, në mënyrë të posaçme me vepra bamirësie për të varfrit e në mbrojtje të dinjitetit të njeriut. Ata që praktikojnë fenë afrikane e traditat tjera fetare, që janë zhvilluar këto vite, në mungesë të formimit të vërtetë fetar, nuk kanë nevojë të sillen kështu. Realiteti i këtyre besimeve në Kubë jetohet në formë private, me qëllim zgjidhjen e menjëhershme të problemeve shpirtërore… Kjo ka bërë që supersticioni të rritet edhe më shumë. Për ne, kjo është sfidë ungjillëzimi. Duhet të ungjillëzojmë kulturën dhe botën e besimeve popullore, e në rend të parë ta dëshmojmë dashurinë e Zotit për çdo njeri.

Atë Yosvany, si mund ta ndihmojë projektin kulturor të Kishës në Kubë, prania e Papës Françeskut?

Vizita e Papës në Kubë na bën të kuptojmë se Kisha jonë është e gjallë, është Kishë ungjillëzuese, që ka metodën e vet, atë të Jezusit me të cilën e shpall me zjarr Lajmin e Mirë, Ungjillin shtëpi më shtëpi. Nuk shqetësohet vetëm për komunitetin e krishterë, por dëshiron të ungjillëzojë kulturën, botën intelektuale e në mënyrë të veçantë të punojnë në favor të të varfërve. Me vizitën e Papës, ne pohojmë se feja jonë është e gjallë, se Kisha në Kubë punon, jeton, ungjillëzon e se Papa erdhi për të na inkurajuar e përforcuar në fe, në misionin e bamirësisë e të mëshirës. Një moment prekës e domethënës qe edhe vizita e Papës në Shenjtëroren e “Zojës së Dashurisë së krishterë”, e cila është Pajtorja jonë qiellore. Këto kremtime tregojnë se populli kuban nuk ia ka mbyllur kurrë portën fesë në Krishtin, të cilën sot mund ta shfaqë qartë e lirisht. Shenjtërorja “Virgen de la Caridad del Cobre” - “Zoja e Dashurisë” është një dëshmi e veçantë e fesë së popullit në të gjithë ishullin, që mund ta shpreh hapur besimin në Zotin. E Papa erdhi të na thotë se Zoti është me ne, se na do, se na ndihmon e se Kisha duhet ta vazhdojë punën e saj ungjillëzuese të dashurisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.