2015-09-21 17:39:00

Virgén di El Cobre - shenjtërorja e Zojës së Dashurisë së Krishterë


Historia e këtij vendi shtegtimi, Shenjtërores Kombëtare “Virgen de la Caridad” e El Cobre në Santiago de Cuba, më i nderuari në Kubë, lidhet ngushtë me disa nga ngjarjet shoqërore e politike më të rëndësishme të vendit. Gjithçka nisi në vitin 1606, kur tre peshkatarë (dy indianë, Juan e Rodrigo de Hoyos dhe një skllav zezak, Juan Moreno) gjetën një shtatore prej druri të Zojës, që pluskonte mbi ujërat e Bahía de Noipe (veri-lindje e siujdhesës). Tek këmbët e saj shkruhej “Jam Zonja e Dashurisë së Krishterë”. Shtatorja u mbart në minierën e bakrit të El Cobre dhe, në të njëjtin lokalitet, më 1684, u ngrit shenjtërorja e parë.

Më 1801, në këtë Shenjtërore, u lexua “Manifesti për lirinë e skllevërve të minierave të El Cobre”, falë edhe impenjimit të kapelanit të Shenjtërores, atë Alejandro Escanio, në favor të skllevërve. Në vitin 1868, Karlos Manuel Céspedes, përkrahës i zhdukjes së skllavërisë dhe i pavarësisë së Kubës, shtegtoi në Shenjtërore, ku u lut para Zojës për lirinë e Kubës.

Më 22 korrik 1898 në Shenjtërore u kremtua Mesha e falënderimit për çlirimin e Ishullit, në prani të zyrtarëve më të lartë të ushtrisë çlirimtare.

Më 10 maj 1916, Papa Benedikti XV e shpalli ‘Virgén de la Caridad”. Pajtore të Kubës.

Më 8 shtator 1927 u përurua shenjtërorja e sotme e, më 20 dhjetor 1936, kryeipeshkvi i Santiago de Cuba, imzot Valentin Zubizarreta, e kurorëzoi Virgjërën si “Nënë e Pajtore e Kubës”.

Më 1952, shtatorja u mbart me procesion, duke nisur shtegtimin në mbarë ishullin, për të çuar kudo mesazhin e fesë e të shpresës.

Në vitin 1959 Kongresi Kombëtar Katolik u mbajt nën mbrojtjen e Virgjërës së El Cobres, shtatorja e së cilës, gjatë Meshës, ishte vendosur në zemër të Sheshit të Revolucionit.

Së fundi, më 30 dhjetor 1977, Pali VI i dha Shenjtërores së El Cobre, titullin e Bazilikës Minore; i dërguari i Papës me këtë rast, ishte Prefekti i asokohshëm i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë, kardinali Bernardin Gantin.

Kryeipeshkvi i Santiago de Cuba, në afërsitë e të cilit ndodhet shenjtërorja e ‘Zojës së Caridad’ del Cobre, ku shkon Papa, dha disa orientime shpirtërore drejtuar të gjithë katolikëve, që mblidhen rreth Atit të Shenjtë, para figurës së Zojës së Bekuar. Imzot Dionizio Garsia Ibànjez thekson se Papa vjen si Shtegtar i Dashurisë së krishterë. “Për ne kubanët, kjo fjalë – shton kryeipeshkvi – ka një kuptim të thellë e të mrekullueshëm, sepse është emri i Nënës dhe i Pajtores sonë qiellore. Zoja e Dashurisë së krishterë është simbol i “cubanìa”-s, i të qenit kuban, prandaj i mbledh rreth vetes të gjithë, besimtarë ose jo. E dashuria është i vetmi virtyt, që mund t’i bëjë kubanët vëllezër e motra”.
Në këtë këndvështrim kryeipeshkvi i fton katolikët të përgatiten shpirtërisht për vizitën e Papës, duke e lënë mënjanë urrejtjen, duke ndihmuar njëri-tjetrin, sidomos më të vobektit, e duke u lutur vazhdimisht. E presim Papën, duke zbukuruar kishat, shtëpitë e rrugët, por mbi të gjitha, duke përtërirë shpirtin, përfundon kryeipeshkvi i Santiago de Cuba. Ipeshkvi kërkon një nismë solidariteti e bamirësie, në mënyrë që askush nuk duhet të qëndrojë indiferent para vuajtjes së të tjerëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.