2015-09-21 10:52:00

Thirrje e Papës për paqen në Kolumbi: të mos dështojnë bisedimet


Në përfundim të meshës në Sheshin e Revolucionit në Havanë, para Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri një thirrje të zjarrtë për paqen në Kolumbi, i vetëdijshëm për çastin historik tejet të rëndësishëm. Pikërisht në Kubë, po zhvillohen bisedimet për paqen ndërmjet qeverisë dhe guerrilasve të FARC. Por ja fjalët e Atit të Shenjtë:

“Gjaku i derdhur nga mijëra të pafajshëm gjatë dhjetëvjeçarëve të konfliktit të armatosur, së bashku me atë të Jezusit në kryq, përkrahtë përpjekjet që po bëhen, edhe në këtë ishull të bukur, për pajtimin e plotë. E kështu, nata e gjatë e dhimbjes dhe e dhunës, me vullnetin e të gjithë kolumbianëve, u shndërroftë në një ditë mirëkuptimi, drejtësie, vëllazërimi e dashurie, që nuk perëndon kurrë, në respekt të institucioneve dhe të së drejtës kombëtare e ndërkombëtare, që paqja të jetë afatgjatë. Ju lutem, nuk mund t’ia lejojmë vetes një dështim tjetër në këtë udhë paqeje e pajtimi”.

Më pas, Papa Françesku u kërkoi të gjithëve të luten për ata, që e kanë humbur shpresën dhe nuk gjejnë më arsye të mjaftueshme për ta vazhduar betejën e jetës; për ata, që vuajnë nga padrejtësia, nga braktisja e nga vetmia; për të moshuarit, të sëmurët, fëmijët e të rinjtë, për të gjitha familjet në vështirësi, që shën Maria t’ua fshijë lotët, t’i ngushëllojë me dashurinë e saj prej nëne, t’u kthejë shpresën dhe gëzimin. “O e shugurueshmja Nënë – u lut në fund Papa – ty t’i besoj këta bij të Kubës: mos i braktis kurrë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.