2015-09-21 16:47:00

Papa në Holguin: vështrimi i Jezusit, baza e shpresës sonë


Dita e sotme e Papës Françesku filloi në Holguin, qyteti i tretë i Kubës për nga numri i banorëve (1,5 milion). Sheshi i Revolucionit, ku Ati i Shenjtë kremtoi meshën, i kushtohet Calixto Garcìa Injiguez, patriot kuban, që luftoi e u përpoq për çlirimin e Kubës nga spanjollët. Homelia e Papës u përqendrua në historinë e kthimit të shën Mateut ungjilltar, bazuar në takimin me Jezusin.

“Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij”, shkruhet në Ungjill. Ishte publikan e megjithatë u ftua nga Jezusi ta ndiqte e kjo ngjarje, ky vështrim i Birit të Zotit, e preku Mateun e ia ndryshoi jetën një herë e përgjithmonë. Ashtu siç ndodh me secilin prej nesh, nënvizoi Ati i Shenjtë. “Mëkatarët preken nga vështrimi i Jezusit. Dashuria e Tij na paraprin, vështrimi i Tij prek nevojat tona, nuk ndalet në dukjen, në mëkatin. Vështrimi i Jezusit na jep dinjitetin e bijve, na liron nga kategoria shoqërore e të përjashtuarve. Prandaj – theksoi Papa – ta konsiderojmë vështrimin e Jezusit si bazën e shpresës sonë”.

Ky vështrim e orientoi Mateun drejt shërbimit, e ndryshoi, e bëri misionar, duke e ftuar të besojë tek vetvetja e të mos dëgjojë ç’thonë të tjerët. Është e mundur për të gjithë të bëhen miq të Hyjit e të mësojnë nga Jezusi, që shikon ç’është më e vërtetë tek njeriu, shikon imazhin e Atit Qiellor.

Në këtë mënyrë, nënvizoi Papa, edhe Kisha në Kubë, që është Populli i Zotit në këtë vend, kthehet në shtëpi misioni, lutjeje, katekizmi e jete në bashkësi. Duke iu referuar gjendjes së saj në një vend akoma komunist, ku mungojnë meshtarët e rregulltarët, Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë e “shtëpive të misionit”, të cilat u mundësojnë të gjithëve të kenë një vend për t’u lutur e për të marrë pjesë në jetën e bashkësisë së krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.