2015-09-20 12:07:00

Papa: në Kubë paqja, liria, pajtimi për t’i mposhtur mbylljet


Papa Françesku mbërrini në Kubë, etapën e parë të udhëtimit të tij apostolik të 10-të ndërkombëtar i cili do ta çojë edhe në SHBA-së. Në ora 15.00 evropiane. Papa do të kremtojë Meshën e Shenjtë në Sheshin e Revolucionit në Havanë, mbushur përplot me besimtarë e qytetarë kubanë. Ati i Shenjtë Bergoglio u prit me entuziazëm e përzemërsi të jashtëzakonshme të kubanëve. Në aeroportin e Havanës u mbajt ceremonia e mirëseardhjes me presidentin Raùl Castro, autoritetet tjera civil e kishtare.
Dashuri, mirënjohje, entuziazëm, ngashërim: këto ndjenjat që shiheshin në fytyrat dhe brohoritjet e dhjetëra mijëra kubanëve, së paku njëqind mijë njerëz, përgjatë 18 kilometrave të udhës që përshkoi Papa Françesku nga aeroporti i Havanës deri në selinë e Nunciaturës apostolike. Kubanët, besimtarë e jo besimtarë, i janë vërtet mirënjohës Papa  Françeskut për atë që ka bërë për përafrimin me SHBA-së, një hap i rëndësishëm për Kubën që ushqen shpresat për një shoqëri që kërkon perspektiva të reja. Ati i Shenjtë Bergoglio nuk ka dashur, si gjithmonë e siç bëri edhe në Tiranë, pikërisht para një viti 21 shtator 014, një automobil të blinduar, por një auto të hapur për të kështu pasur mundësinë të jetë sa më afër njerëzve.
Në ceremoninë e mirëseardhjes në aeroportin e Havanës, pas ekzekutimit të himneve të dy Shteteve, Papa u drejtoi të gjithë kubanëve përshëndetjen e  tij të përzemër, e edhe atyre që janë “të shpërndarë në botë”. Presidentit Raùl Castro i kërkoi t’i transmetoi “përshëndetjen e tij të veçantë e plot respekt” vëllait Fidel. Papa Françesku kujtoi se pikërisht sivjet “kremtohet 80 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të pandërprera” ndërmjet Kubës e Selisë së Shenjtë. Ati i Shenjtë Françesku deshi t’i ndiqte “gjurmët e pashlyeshme të udhës së hapur nga udhëtimet apostolike të paharrueshme që kanë bërë në këtë Ishull “shën Gjon Pali II e Benedikti XVI”:
“Kisha vazhdon ta shoqëroj e inkurajoj popullin kuban në shpresat e tij e në shqetësimet e tij, me lirinë e me të gjitha mjetet e nevojshme për të bërë që kumti i Mbretërisë së Hyjit të arrijë deri në periferitë ekzistenciale të shoqërisë”.
Ky udhëtim apostolik i Papa Françeskut në Kubë përkon me njëqind vjetorin e shpalljes së Virgjërës së Dashurisë del Cobre si Pajtore Qiellore të Kubës, së cilës i janë lutur atdhetarët e luftës së pavarësisë për ndërtimin e një “kombi të lirë e sovran”. Papa Bergoglio shpjegoi se Nëna e Jezusit, kaq e pranishme “në shpirtin e popullit kuban”, e “ruan dinjitetin e njerëzve në situatat më të vështira” dhe promovon “gjithçka që i jep dinjitet qenies njerëzore”:
“Në këto ditë do të kem rastin të shkoj në Shenjtëroren e El Cobre si bir e shtegtar, për ta lutur Nënën Qiellore për të gjithë bijtë e saj kubanë dhe për këtë Komb të dashur, që t’i përshkoj shtigjet e drejtësisë, të paqes, të lirisë e të pajtimit”.
“Vokacioni i natyrshëm” i Kubës – pohoi Papa – “është ai i të qenurit pikë takimi në mënyrë që të gjithë popujt të përkojnë e njihen në miqësi”, “përtej ngushticave të istmeve e pengesave të detit”: është ky një citim i José Martì. Heroit kuban të pavarësisë, një njeriu të frymëzuar nga spiritualiteti  thellë i krishterë. E Papa Françesku kujtoi fjalët profetike të shën Gjon Palit II kur në vizitën historike të vitit 1998 bëri thirrjen e njohur: “Kuba të hapet me të gjitha mundësitë e jashtëzakonshme ndaj botës e bota të hapet ndaj Kubës”, E shtoi:
“Prej disa muajsh, jemi dëshmitarë të një ngjarje që na mbush me shpresë: procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve, pas largimit shumë vjeçar. Është një proces, është një shenjë e mbizotërimit të kulturës së takimit, të dialogut, të “sistemit të vlerësimit universal...mbi sistemin, që ka vdekur përgjithmonë, të dinastisë e të grupit” (José Martì)”.
Papa Françesku inkurajon përgjegjësit politikë të “vazhdojnë në këtë rrugë” në favor të “paqes e të mirëqenies së popujve të tyre, të mbarë Amerikës, e të jenë shembull pajtimi për mbarë botën”. E duke folur jashtë tekstit Papa shtoi: “ bota ka nevojë për pajtim në këtë atmosferë të luftës së tretë botërore, të cilën jemi duke përjetuar në etapa”.
Nga ana e tij, presidenti Raùl Castro shprehi vlerësimin e tij më të sinqertë e të përzemër për fjalët e Papës lidhur me temën e drejtësisë e të ambientit. Castro e quajti të padrejtë sistemin aktual ndërkombëtar që ka globalizuar kapitalin dhe dinarin e ka bërë idhull të vet, ka kujtuar arritjet e sistemi socialist kuban sidomos në fushën e shëndetësisë e të shkollës, por ka sinjalizuar edhe nevojën e një rishikimi dhe aktualizimi të këtij modeli ekonomik e shoqëror. Presidenti Castro pastaj e falënderoj Papa Françeskun për mbështetjen nga e tij të dialogut ndërmjet Kubës e SHBA-së. E ka denoncuar embargon e SHBA-së duke quajtur të “egër, të imoralshëm e të paligjshëm”, duke kërkuar fundin. Së fundi përmendi e rivendikoi bazën detare të Guantanamo-s, në territorin kuban, por ende sot në duar të SHBA-së.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, një lum njerëzit e përshëndeti Papën udhës deri në Nunciaturë. Në mesazhin e parë drejtuar Kubës, Papa u ndal disa herë tek konceptet, që janë përmendur më shumti si liria, paqja e shpresa.








All the contents on this site are copyrighted ©.