2015-09-18 12:39:00

Papa Observatorit Astronomik të Vatikanit tregon si synimin e një mirëkuptimi më të mirë fetar të krijimit


 “Kisha e barinjtë e saj le ta përqafojnë, inkurajojnë e promovojnë shkencën e vërtetë. Dialogu ndërmjet shkencës e fesë është i rëndësishëm”: Papa Françesku nënvizoi rëndësinë e dialogut ndërmjet shkencës e fesë, në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve të simpoziumit të promovuar nga Observatori Astronomik i Vatikanit, të cilët i priti sot në audiencë në sallën e Papëve në Pallatin Apostolik në Vatikan.

“Gjithësia –vërejti Papa – është diçka më shumë se një problem thjesht shkencor për t’u zgjidhur: është mister i hareshëm që kundrojmë në gëzim e lavdi”. E duke kujtuar atë që pati pohuar Benedikti XVI në Kongregacionin (Mbledhjen) e përgjithshme të jezuitëve, Papa Françesku ripohoi se “Kisha ka nevojë urgjente për rregulltarë që përkushtojnë jetën e tyre në fushën e kërkimeve shkencore, duke qëndruar pikërisht në kufijtë ndërmjet fesë e diturisë njerëzore, fesë e shkencës moderne. Kisha e barinjtë e saj ta përqafojnë, ta inkurajojnë e promovojnë shkencën e vërtetë”.

Papa shpjegoi se “në kontekstin e dialogut ndërfetar, sot është më urgjent se kurrë, kontributi i kërkimit shkencor mbi universin, i cili vërtetë mund të ofrojë edhe një perspektivë unike, të bashkëndarë nga besimtarët e jo besimtarët, një kërkim shkencor që mund të ndihmojë në arritjen e një mirëkuptimi më të mirë fetar të Krijimit”.

Papa Françesku inkurajoi Observatorin Astronomik të Vatikanit të “vazhdojë në udhën shkencore, me kolegë dhe me ata që ndajnë bashkë me ju entuziazmin e mundimin e hulumtimeve të gjithësisë”. E përfundoi: “Të gjithë jemi në udhë drejt shtëpisë së përbashkët të Qiellit, ku do të mundemi me gëzim ta admirojmë misterin e universit”.

Papa kujtoi se Shkollat e Astrofizikës, që Observatori Astronomik i Vatikanit ka organizuar gjatë tridhjetë viteve të fundit, janë “një rasti i volitshëm e shumë i çmueshëm, ku astronomët e ri nga mbarë bota dialogojnë e bashkëpunojnë në kërkimin e së vërtetës”. Një porosi:

“Është shumë më rëndësi që ju të ndani dhuratën e njohurisë shkencore të gjithësisë bashkë me njerëzit”.

Instituti shkencor Observatori Astronomik i Vatikanit, që kremton 80 vjetorin e ekzistencës, prej ditës së sotme ka një drejtor të ri, emëruar nga Papa Françesku, është jezuiti Atë Guy Joseph Consolmagno, anëtar i të njëjtit Institut Shkencor e President i Vatican Observatory Foundation.

Qendra e astrofizikës në Kastel gandolfo, me një degë në SHBA-së, i qe besuar Jezuitëve nga Papa Piu XI në vitin 1935. Papa Françesku kujtoi se “shën Injaci i Lojolës e kuptonte shumë mirë gjuhën” e gjithësisë e tregonte “se ngushëllimi i tij më i madhe ishte kur vështronte qiellin e yjët sepse kjo e bënte ta ndjente një dëshirë tejet të madhe për t’i shërbyer Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.