2015-09-18 11:40:00

Më 15 nëntor, Papa Françesku shkon në Kishën Ungjillore në Romë


Të dielën, më 15 nëntor, Papa Françesku do të shkojë për vizitë në Kishën Ungjillore dhe Luterane të Romës. Pas udhëtimit në Kubë e në SHBA-të, për të cilin niset nesër, Ati i Shenjtë vijon veprimtaritë e tij mbi bazën e një kalendari mjaft të ngjeshur.

Të shtunën, më 3 tetor, do të kryesojë në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 19.00, lutjen në përgatitje të Asamblesë XIV të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve mbi temën e familjes. Të dielën, më 4 tetor, në Bazilikën e Vatikanit, mesha e hapjes së Sinodit. Më 18 tetor, edhe kjo ditë e dielë, në orën 10.15, Papa Françesku do të kremojë meshën për shpalljen shenjt të katër të Lumëve, ndër të cilët prindërit e shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Një javë më pas, më 25 tetor, Ati i Shenjtë do të kryesojë në Vatikan meshën për mbylljen e Sinodit.

Më 1 nëntor, në festën liturgjike të Gjithë Shenjtorëve, Papa do të shkojë në varrezat e Veranos, në Romë, për të kremtuar si zakonisht, meshën. Të nesërmen, më 2 nëntor, në orën 18.00, në Kriptën e Vatikanit, lutja për papët e vdekur. Të enjten më 5 nëntor, në orën 11.30, mesha e drtiës për kardinajtë dhe ipeshkvijtë, që kanë ndërruar jetë gjatë këtij viti. E nga 25 deri më 30 nëntor, udhëtimi apostolik në Kenia, Uganda e në Republikën Qendroafrikane.








All the contents on this site are copyrighted ©.