2015-09-17 18:36:00

Papa në Kubë: Kard. Parolin, Selia e Shenjtë kërkon heqjen e embargos


Fillon nesër, udhëtimi 10-të apostolik i Papa Françeskut në Kubë e në SHBA-së. Rritet pritja në dy Vendet për ardhjen e Atit të Shenjtë Bergoglio. Një atmosferë e veçantë ndjehet në Filadelfia, ku Papa do të takohet me pjesëmarrësit e Takimit VIII Botëror të Familjeve. Gëzimi e shpresa karakterizojnë këtë shtegtim ndërkombëtar të Papës. Mbi perspektivat e këtij udhëtimi papnor në dy Shtetet, Kubë e SHBA-së që kanë nisur një proces të rëndësishëm të afrimit pas 50 vjetësh të prishjes së marrëdhënieve diplomatike e të embargos së ashpër ndaj Havanës, foli Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë një intervistë për Qendrën Televizive të Vatikanit.
 “Po, dihet fare mirë qëndrimi i Selisë së Shenjtë mbi këtë temë të embargos, që është qëndrim i kundërt, përej atyre që mund të jenë arsyet, ekziston një e dhënë që vjen nga realiteti, e kjo do të thotë se embargoja, ky lloj ndëshkimi, shkakton vështirësi, vuajtje në popullsinë që e pëson. E pikërisht nga ky këndvështrim Selia e Shenjtë e trajton çështjen, e në nivelin e Kombeve të Bashkuara, në asambletë e përgjithshme, ka mbështetur mocionet që kërkojnë heqjen, eliminimin e embargos ndaj Kubës. E prandaj shpresojmë, siç thonë ipeshkvijtë, urohet, dëshirohet të arrihet marrja e një mase të kësaj natyre, do të thotë një liberalizim nga detyrimet e kufizimet, sidomos në fushën ekonomike, për të sjell një hapje edhe më të madhe nga pikëpamja e lirisë dhe të drejtave njerëzore, një lulëzim i këtyre aspekteve themelore për jetën e njerëzve e të popujve”.
Një etapë e rëndësishme e udhëtimit të Papës në Kubë do të jetë vizita në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar ‘Virgen de la Caridad de Cobre..
Më duket krejt normale që Papa të vizitojë një shenjtërore mariane e një shenjtërore mariane kubane siç është ajo e Caridad de Cobre, sepse devocioni ndaj Zojës së Bekuar është një nga tiparet themelore të religjiozitetit e të fesë katolike që ka populli i Amerikës Latine e pastaj sepse Virgen de La Caridad de Cobre e ka shoqëruar gjithmonë historinë e kubanëve, në të gjitha momentet e saj, në gëzim e në dhimbje, në vuajtje e në përparime, prandaj është si një simbol i historisë së saj, simbol i vetë popullsisë, këndej Papa, duke shkuar në shenjtërore do të takojë një farë mënyre zemrën e këtij ishulli e të këtij populli.
Në vijim, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, në intervistën e tij ,shquan disa tema kryesore të udhëtimit të Papa Françesku në Kubë e në SHBA-së, nga 19 deri më 28 shtator: nga përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Kubës e SHBA-së, tek kriza e emigracionit, kanonizimi i atë Juniperi Serra, njëri prej etërve  themelues të Amerikës, e deri te Takimi VIII Botëror i Familjeve që do të mbahet në Filadelfia. SHBA-së, shpjegon kardinali Parolin, “ Papa besoj se prek pika të rëndësishme, pika themelore e edhe kritike siç është ambienti, emigracioni etj., SHBA-së kanë një histori të gjatë në pritje të emigrantëve”.
E mbi sistemin ekonomik kapitalist, mbi mbrojtjen e ambientit kritikuar në enciklikën e Papës “Lëvduar qofsh” kard. Parolin thotë: “Gjërat nuk janë duke shkuar në drejtimin e drejtë, ekziston nevoja e ndryshimit të stilit të jetës sonë për të qenë rojtarë të krijimit siç thotë papa e jo përkundrazi sundues apo sulmues të krijimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.