2015-09-17 17:25:00

Papa: fëmijët e braktisur janë britmë që lartohet te Zoti


Fëmijët e gratë e braktisur rrugëve nuk janë numra, por qenie njerëzore, bijë të Zotit me të njëjtat të drejta që kanë të gjithë njerëzit: kështu tha Papa, në audiencën e sotme me pjesëmarrësit e Simpoziumit ndërkombëtar mbi kujdesin Baritor të njerëzve të braktisur rrugëve, organizuar nga Këshilli Papnor për Emigrantët dhe endacakët. Papa dënoi tregtinë e qenieve njerëzore dhe korrupsionin, që përkeqësojnë padrejtësitë kundër njerëzve më të brishtë, e bëri thirrje për të mbrojtur e promovuar dinjitetin e grave e fëmijëve të rrugëve.
“Nuk ka fëmijë që zgjedh vetvetiu për të jetuar në rrugë”: niset nga ky konstatim Papa Françesku në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve të simpoziumit të përmendur, e përmend “realitetet shumë të trishta” shkaktuar nga indiferenca, varfëria, dhuna familjare e shoqërore, tregtia e qenieve njerëzore, të cilave u shtohet “dhimbja” për ndarjet bashkëshortore dhe lindjën e fëmijëve jashtë martesës, të cilët shpesh “janë të destinuar në një jetë ‘endacake’. Nga këto, qortimi i Papës:
“Fëmijët e gratë e rrugëve nuk janë numra, nuk janë “paketa” për t’u shkëmbyer: janë qenie njerëzore me një emër dhe fytyrë personale, me një identitet dhuruar prej Zotit çdonjërit prej tyre. Janë bijë të Zotit, si ne, të barabartë me ne, me të njëjtat të drejta”.
Duke shikuar, pastaj, “edhe drejt botës moderne e të globalizuar”, Papa Françesku kujtoi “fëmijët e shumtë që shkëputen prej fëmijërisë së tyre, të cilëve u vidhet fëmijëria e tyre, të drejtat e tyre, e ardhmja e tyre”, e  pastaj vuri në pah “mangësinë e ligjeve dhe të strukturave të përshtatshme” që “kontribuojnë në përkeqësimin e gjendjes së tyre të varfër”, e kështu ata mbesin “pa një familje të vërtetë, pa edukim, pa asistencë shëndetësore”. Mirëpo një gjë nuk duhet ta harrojmë kurrë:
“Çdo fëmijë që braktiset apo detyrohet të jetojë rrugëve, që bëhet pre e organizatave kriminale, është një britmë që lartohet te Zoti, i Cili ka krijuar burrin e gruan në saje të shëmbëllimit të vet; është një britmë e akuzës kundër një sistemi shoqëror, të cilin prej dekadash e kritikojmë, por të cilin me shumë vështirësi mund ta ndryshojmë sipas kritereve të drejtësisë”.
Këndej, Papa shpreh shqetësimin për rritjen e numrit të vajzave të reja e të grave që “detyrohen të jetojnë rrugëve për fituar për jetesë, duke shitur trupin e tyre, të shfrytëzuara nga organizatat kriminale e, nga njëherë, nga farefisi e familjarët”:
“Një realiteti i tillë është turp për shoqëritë tona të cilat krenohen se janë moderne e se kanë arritur nivele të larta të kulturës e të zhvillimit. Askush nuk mund të rrijë anash përballë nevojës urgjente të shpëtimit të dinjitetit të gruas, që kërcënohet prej faktorëve kulturor dhe ekonomik!”
Papa Françesku bëri thirrje, për “mbrojtën e promovimin e dinjitetit” të fëmijëve e të grave të rrugëve, pa hezitim e duke shikuar “dashurinë e Hyjit Atë ndaj më të mënjanuarve e të brishtëve”:
“Kisha nuk mund të hesht, institucionet kishtare nuk mund t’i mbyllin sytë përballë fenomenit të kobshëm të fëmijëve e grave të rrugëve.(..) Ne nuk mund t’i shmangemi kurrë misionit që kemi, për t’ia sjell të gjithëve e në mënyrë të veçantë më të ligshtëve e të mënjanuarve, mirësinë dhe përdëllimin e Hyjit Atë të mëshirshëm. Mëshira është akti suprem me të cilin Zoti na vjen në takim, është udha që hap zemrën ndaj shpresës për të qenë të dashur përgjithmonë”.
Simpoziumi Ndërkombëtar mbi Baritorinë e Rrugës, që mbylli sot punimet në Romë, ka për qëllim studimin e strategjive efikase për të luftuar plagën e fëmijëve e të grave të shfrytëzuar rrugëve dhe të familjeve të tyre. “Një dramë  njofton dikasteri organizator i ngjarjes – që kërkon përshpejtimin e kohëve të ndërhyrjes si nga ana e Kishës Universale e të Kishave lokale, e po kështu edhe të Institucioneve civile”.








All the contents on this site are copyrighted ©.