2015-09-16 14:41:00

Papa: familja duhet të orientojë politikën, ekonominë dhe shoqërinë


“Familja është baza e kulturës botërore, që na shpëton nga sulmet, nga shkatërrimet e nga kolonizimet e parasë e të ideologjive”. Këto qenë fjalët e Papës Françesku, në audiencën e sotme të përgjithshme, në Vatikan, me të cilën mbylli ciklin e reflektimeve mbi familjen. Ati i Shenjtë ritheksoi rëndësinë e saj universale dhe përgjegjësinë për fatet e njerëzimit, që duhet ta nxisë familjen jo vetëm të kujdeset për vetveten, por ta kthejë gjithë botën në një vatër familjare, me ndihmën e Zotit, që e shoqëron në udhën e saj.

Familja, bashkësi njerëzore themelore, universale e strategjike

Familja është bashkësi njerëzore themelore dhe e pazëvendësueshme, prandaj Kisha përgatitet të shkojë me katolikët e gjithë botës, drejt dy takimeve kryesore kushtuar asaj: Sinodi i muajit të tetorit dhe takimi i Filadelfias i javës së ardhshme. Epoka e sotme, denoncoi Papa, mbizotërohet nga teknokracia ekonomike dhe nga logjika e fuqishme e fitimit:

“Në këtë skenar, një besëlidhje e re e burrit me gruan bëhet, jo vetëm e nevojshme, por edhe strategjike për emancipimin e popujve nga kolonizimi i parasë. Kjo aleancë duhet të orientojë rishtas politikën, ekonominë dhe bashkëjetesën civile! Ajo vendos nëse është e banueshme toka, transmeton ndjenjën e jetës, lidhjet e kujtesës e të shpresës”.

Familja duhet ta kthejë botën në vatër familjare

Familja na mbron nga shkatërrimi, nguli këmbë Ati i Shenjtë. Asaj, në besëlidhjen ndërmjet burrit e gruas, Zoti i ka besuar planin emocionues të kthimit të botës në vatër familjare, në një shtëpi të madhe. Ç’ndodh ndërmjet burrit e gruas lë gjurmë mbi gjithçka, siç dëshmohet nga trashëgimia e mëkatit të rrjedhshëm. E megjithatë, nënvizoi Papa Françesku, Zoti nuk na lë vetëm, siç tregojnë faqet e Biblës shkruar me zjarr:

“’Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj’ (Zan 3,15). Janë fjalët, që Zoti i thotë gjarpërit mashtrues, joshës. Përmes këtyre fjalëve, Zoti e shenjon gruan me një barrierë mbrojtëse kundër së keqes, të cilën ajo – nëse do – mund ta përdorë për çdo brez. Do të thotë se gruaja mbart një bekim të fshehtë e të veçantë për mbrojtjen e krijesës së vet nga I Keqi!”

Zoti nuk na braktis në fatin tonë

Kjo na zbulon një lloj “teologjie të gruas”, vërejti Papa, që i lufton paragjykimet, sipas të cilave gruaja është tunduese e frymëzon të këqia. Pra, si burrit, ashtu edhe gruas, Zoti u jep që në zanafillë mbrojtjen e vet. Edhe para se të largohen nga Kopshti i Edenit, i vesh me tunika e nuk i lë lakuriq në fatin e tyre prej mëkatari. Pastaj, mishërimi i Jezu Krishtit është shenjë e qartë e dhembshurisë hyjnore:

“Krishti, i lindur nga një grua… nga një grua. Është përkëdhelja e Zotit mbi plagët tona, mbi gabimet tona, mbi mëkatet tona. Por Hyji na do kështu siç jemi e dëshiron t’i bëjë me ne planet e Tij e gruaja, është më e forta, që e çon përpara këtë plan”.

Premtimi i Zotit për mbrojtje e shpëtim, bërë fillimisht burrit e gruas, përfshin të gjithë njerëzit, deri në fund të historisë. Le të ecim së bashku, me fe, nën këtë bekim hyjnor, ftoi së fundi Papa, në këtë botë që lind pikërisht nga familja, nga bashkimi i burrit me gruan.








All the contents on this site are copyrighted ©.