2015-09-16 17:05:00

Në Kosovë miratohet projektligji për bashkësitë fetare


Akoma pritet të nënshkruhet nga kryeministri dhe të miratohet nga Kuvendi, por hapi i parë është bërë. Në Kosovë është miratuar projektligji, që u jep bashkësive fetare status juridik dhe plotëson Ligjin për Lirinë Fetare. Më hollësisht na njofton Rabije (Mrikë) Ibraj, nga Prishtina…

Kosova miraton në parim Projektligji për Bashkësitë Fetare në Vend

Në kuadrin e plotësimit të Legjislacionit të Kosovës, javën e kaluar Qeveria e ka miratuar në parim Projektligjin për Bashkësitë Fetare në Kosovë, një ligj i shumë kërkuar deri me tash nga bashkësitë fetare.

Se si është vlerësuar ky hap i qeverisë nga selia e ipeshkvit të Kosovës, kontaktuam me zëdhënësin don Fatmir Koliqin i cili fillimisht na tha se, ende nuk e kanë analizuar ligjin për t’i shqyrtuar nenet e tij veç e veç, por këtë do ta bëjnë pak më vonë nga ekspertët ligjorë, e nëse do të jetë e domosdoshme atëherë vërejtjet eventuale, do të dërgohen me shkrim në Kuvendin e Kosovës dhe do të bëhen publike përmes mediave.

‘Ky Projektligj është një kornizë juridike, me anë të së cilës ju njihet personi juridik bashkësive fetare në Kosovë, gjë e cila ka munguar deri më tani dhe ka qenë koha e fundit që Qeveria dhe Institucionet e vendit të merren me këtë çështje. Edhe pse ky projektligj pritet të miratohet përfundimisht në Kuvendin e Kosovës, është një variant jo më i miri i mundshëm, sepse gjatë këtyre viteve të punës së komisionit për përpilimin e këtij ligji, ka pasur disa variante. Sidoqoftë, ne në parim e mbështesim këtë ligj, pasi një kornizë ligjore është e domosdoshme për funksionimin e ligjshëm të një bashkësie fetare’ na tha don.Fatmiri.

Duke shtuar, don Fatmiri nënvizon se, kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi funksionuar deri më tani, apo që na është pamundësuar funksionimi i lirë i jetës dhe veprimtarisë kishtare, porse ka munguar korniza ligjore, që krijon ligjshmërinë e veprimtarisë, lehtëson proceset dhe raportet me administratat e ndryshme shtetërore e publike në nivel institucional, qartëson dhe jep sigurinë e veprimtarisë në përputhje me normat, mundëson bashkëpunimin e drejtë me institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si në lëmin e kulturës, edukimit, punës sociale, karitative etj.

Ndërsa, në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës, lidhur me miratimin në parim të këtij Projektligji mes tjerash thuhet: ‘Shteti respekton të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Kosovës, njeh si përfaqësues të tyre vetëm personat e autorizuar nga bashkësitë fetare në Kosovë, dhe garanton mbrojtjen e bashkësive fetare nga çdo person apo grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, logot dhe vulën e tyre”,

Dhe, si përfundim, nga Zyra Ligjore e Kryeministrit, na thanë se, ky Projektligj pritet shpejt të nënshkruhet nga kryeministri Isa Mustafa, e më pas të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Rabie Mrika Ibraj








All the contents on this site are copyrighted ©.