2015-09-15 13:47:00

Papa: janë gjetur familjet siriane, për t’u strehuar në Vatikan


“Po, po, i kemi gjetur. Kardinali Comastri, vikari im i përgjithshëm në vatikan dhe Lëmoshtari, imzot Konrad Krajewski, që punon me të pastrehët” kanë gjetur tashmë dy familje emigrantësh, që do të strehohen në dy apartamente të Vatikanit. Kështu deklaroi Papa Françesku në intervistën për emitenten portugeze Radio Renascenca, duke treguar se vijon veprën e tij konkrete në favor të emigrantëve.

         Pikërisht dje, Konferenca Ipeshkvnore Italiane deklaroi se do të verë në dispozicion të refugjatëve shtëpitë e pushimeve të Kishës. E gjithë Kisha në Evropë po mobilizohet për të pritur refugjatët, pavarësisht se politikisht, akoma nuk është gjetur asnjë marrëveshje për rishpërndarjen e 120 mijë emigrantëve, të cilët kanë hyrë tashmë në kontinentin e vjetër. Për ironi të fatit, kundër marrëveshjes qenë shtetet, që kanë vuajtur komunizmin e mezi kanë pritur të hapen kufijtë, si Hungaria, Republika Çeke, Rumania dhe Sllovakia. Mesa duket kanë harruar shpejt ç’kanë hequr vetë. Nga mesnata e djeshme, në Hungari ka hyrë në fuqi ligji, i cili parashikon arrestimin e çdo emigranti, që kalon ilegalisht kufirin. Gjermania, Austria e Sllovakia mbyllin kufijtë e Polonia rivendos kontrollet në kufi. Në rrezik, Traktati i Shengenit, që lejon qarkullimin pa viza në Evropë.








All the contents on this site are copyrighted ©.