2015-09-15 14:23:00

Kardinali Filoni kremton meshën para varrit të Nënë Terezës


Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni ndodhet në Indi, në dioqezën e Kalkutës, ku u takua me klerin, me seminaristët, novicët dhe edukatorët. Gjithashtu, kremtoi meshën në bazilikën e Zojës Rruzare në Bandel. Sot në mëngjes, ai shkoi për të thënë meshë para varrit të Nënë Terezës, në praninë e motrave të së Lumes shqiptare të bamirësisë.

E Lumja Nënë Terezë u dha dinjitet të vuajturve

         Në homelinë e tij, në të kremten e sotme të Zojës së Dhimbshme, vetëm një ditë pasi Kisha Katolike kujtoi Lartimin e Kryqit, kardinali Filoni lidhi dhimbjen e nënës me vuajtjet e të Birit, që ofroi jetën e tij për shpërblimin e mëkateve të gjithë botës. E pastaj, foli për një nënë tjetër.

         “Sot – tha ai – jemi mbledhur rreth varrit të një ‘nëne’ tjetër, e cila, kur u ndodh para dhimbjes dhe vuajtjes, vendosi të bëjë diçka. E Lumja Nënë Terezë u dha dinjitet të vuajturve, të braktisurve, nevojtarëve, ‘më të varfërve ndër të varfër’. Ajo ofroi dashuri vetëmohuese për mijëra njerëz. Edhe më shumë se kaq, ajo ofroi “dashuri deri në dhimbje”. Ajo i lehtësoi dhimbjet, që njeriu i shkakton njeriut, përmes padrejtësive. Ajo qe rreze shprese për ata, të cilëve, me mirësi, u dha strehim e ushqim. Udhëhiqte me shembullin e vet; ungjillëzonte përmes ‘dashurisë së saj të thjeshtë’, që kthehej në vepra e veprimtari.

Nëna Terezë, frymëzim për ata, që ndjejnë thirrjen e Zotit

         Shembulli i sjelljes së saj amnore me të paprivilegjuarit tërhoqi një numër të madh të rinjsh, që u frymëzuan prej saj dhe e ndoqën. S’ka dyshim se ajo frymëzoi shumë vetë t’i përngjajnë asaj në përgjigjen ndaj thirrjes së Zotit. Ndoshta ky ishte aspekti më joshës i përpjekjeve të saj njerëzore dhe kristiane.

         Kjo joshje e jashtëzakonshme vazhdon të magjepsë shumë njerëz në Indi, nga të gjitha besimet e fetë, si edhe miliona të tjerë në botë, përfshirë anëtarët e familjes rregulltare themeluar prej saj, Misionaret e Misionarët e Dashurisë. Vazhdoftë të jetë frymëzim dhe model dashurie për Zotin e për të varfërit; pishtar drite e shprese; mike dhe ndërmjetëse pranë Zotit për të gjithë dhe; siç thoshte gjithnjë, një Nënë e kujdesshme. Përmes ndërhyrjes së saj, Zoti bekoftë Kongregatën e Misionareve të Dashurisë me më shumë thirrje! E së fundi, ju nxis e ju inkurajoj vëllezër e motra të vijoni punën e çmuar, që filloi e Lumja Nënë Terezë, për të mirën e Kishës e të botës”.

Shtyhet vizita e kard. Filonit në Nepal

         Etapa e parë e udhëtimit të kardinalit Filoni në Azi qe Bangladeshi, ku ai u takua me Kishën e vogël, por entuziaste vendase. Ndërkaq, u anulua vizita e prefektit të Kongregatës për Ungjillëzimin në Nepal, ku duhej të kishte shkuar pas Indisë. Pas protestave antiqeveritare në shumë anë të vendit, udhëtimi u konsiderua i pasigurtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.