2015-09-15 11:54:00

Françesku: Kisha të jetë nënë, jo shoqatë e ngurtë


Kisha është nënë e jo shoqatë e ngurtë, e mbyllur, që në fund të fundit, mbetet jetime. Këto qenë fjalët e Papës Françesku në homelinë e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Morën pjesë edhe kardinajtë e “Këshillit të nëntëshes”, që deri nesër, janë në mbledhje me Atin e Shenjtë. Papa nënvizoi se, si Virgjëra Shenjte, Kisha duhet ta shprehë amësinë e vet me përvuajtëri, mirësi, falje e dhembshuri.

Jezusi nuk na lë jetimë, na lë Marinë si mbrojtje

         Françesku u nis nga fjalët e Jezusit në kryq, drejtuar dishepullit që e donte shumë – siç vërehet në Ungjill – të cilit i besoi shën Marinë, duke i thënë: “Bir, ja Nëna jote”. Nuk mund të mendohet Zoja, veçse si nënë, theksoi Papa. Me këto fjalë të Jezusit, amësia e Marisë shtrihet mbi të gjithë Kishën e mbi krejt njerëzimin:

         “Në këto kohë kur, nuk e di nëse është ndjenjë kryesore, por bota e ndjen veten jetime, kjo Fjalë ka rëndësi të madhe, rëndësinë, që na e tregon vetë Jezusi: ‘Nuk ju lë jetimë, ju jap një nënë’. Kjo është edhe krenaria jonë: e kemi një nënë, që rri me ne, na mbron, na shoqëron, na ndihmon edhe në kohë të vështira, në çastet më të këqia”.

Kisha të jetë nënë e dhembshur, jo shoqatë pa ngrohtësi

         Murgjërit rusë, kujtoi Papa, thonë se në çastet e trazirave shpirtërore duhet të hyjmë nën mantelin e Nënës Shenjte të Zotit, që na pret, na mbron e kujdeset për ne. Por mund të themi, vijoi Ati i Shenjtë, se amësia e Marisë shkon edhe më përtej. Prej saj rrjedh një amësi e dytë, që është ajo e Kishës:

         “Kisha është nënë. Është ‘shenjtja nënë Kishë’, që na bën të rilindim përmes Pagëzimit, na rrit në bashkësinë e saj e sillet me amësi, butësi, mirësi: Maria Nënë dhe Kisha Nënë dinë t’i përkëdhelin bijtë e vet, janë të dhembshur me ta. Ta mendosh Kishën pa këtë amësi është si të mendosh për një shoqatë të ngurtë, pa ngrohtësi njerëzore, jetime”.

Pa amësi, mbeten vetëm ngurtësia e disiplina

         Por Kisha është nënë, nënvizoi Ati i Shenjtë, sepse na pret si nënë, ashtu si shën Maria. Sillet si Zoja e Bekuar, me përvuajtëri, me mirëkuptim, më ëmbëlsi, e gatshme të falë e të kuptojë:

         “E ku ka amësi, ka jetë, ka gëzim, ka paqe, njeriu rritet në paqe. Kur mungon kjo amësi mbetet vetëm ngurtësia e disiplina dhe, njerëzit nuk dinë të buzëqeshin. Një nga gjërat më të bukura e më njerëzore është t’i buzëqeshësh një fëmije e ta bësh të qeshë”.

         Në fund të homelisë, Papa Françesku u lut që dhashtë Zoti ta ndjejmë edhe një herë çastin, kur Ai i ofrohet Atit Qiellor për ne e nuk na lë jetimë: “Bir, ja nëna jote!” 








All the contents on this site are copyrighted ©.